Sot bëhen 13 vite nga vrasja e gazetarit e publicistit Bardhyl Ajeti, me këtë rast deputeti dhe anëtari i Komisionit për Media, Imet Rrahmani, ka kërkuar zbardhjen e rastit dhe autorët ta marrin dënimin e merituar, për të shtuar edhe se, “pse vitet po kalojnë, moszbardhja e vrasjes makabër të Bardhylit nuk i amniston institucionet e Kosovës”.
“Moszbardhja e vrasjeve politike nuk e zvogëlon nevojën e e angazhimit të institucioneve të drejtësisë me kalimin e viteve. Gjithashtu, as partive politike përfshirë edhe LDK-në nuk jua zvogëlon kalimi i kohës nevojën për angazhim për zbardhjen e vrasjeve dhe nxjerrjen para drejtësisë të kriminelëve që sipas të gjitha gjasave jetojnë të lirë në mesin tonë”, ka thënë deputeti Rrahmani.
Ndryshe, në një prononcim për “Bota Sot”, Rrahmani ka thënë se vrasja e Bardhyl Ajetit është krim i cili edhe më tutje kërkon zbardhje. “Fatkeqësisht kjo vrasje nuk është e vetmja e cila po ngarkon ndërgjegjen e çdo njërit që e do vendin dhe që e do prosperitetin. Moszbardhja e vrasjes makabër të Bardhylit nuk i amniston institucionet e Kosovës, sa po kalojnë vitet”
Kalimi i kohës, sipas Rrahmanit, nuk e zvogëlon nevojën për angazhim, për zbardhjen e vrasjeve dhe nxjerrjen para drejtësisë të kriminelëve. Për më tepër, ai thekson se Bardhyli ishte bashkëqytetar i tij dhe se ishte i guximshëm e kjo e ka penguar dikë.
“Bardhylin si bashkëqytetar e njoh nga shkrimet e tij që ishin konkrete, ndryshe nga shumë të tjerë ishte i guximshëm në përmasa që siç duket dikën e pengoi shumë”, është shprehur Rrahmani për “Bota Sot”.
Përndryshe, Bardhyl Ajeti (gazetar dhe redaktori i gazetës “Bota Sot”) është qëlluar me një breshëri plumbash më 3 qershor të vitit 2005, teksa po kthehej nga Prishtina për në Gjilan, ndërsa nuk mundi t’u mbijetoi plagëve dhe vdiq më 25 qershor.