Para Terminalit Doganor në Preshevë sot u mbajt një protestë paqësore për lejimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe në Luginë. Në protestën e ftuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar kërkesa kryesore ishte që qeveria e Serbisë të lejojë përdorimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, të cilat prej shtatorit të vitit të kaluar po mbahen në Terminalin doganor, raporton Titulli.com.
Rreth 103 mijë libra shqip për shkollat fillore që po mbahen në terminal janë donacion i Qeverisë së Kosovës, respektivisht ministrisë kosovare të arsimit.
“Kërkojmë me çdo kusht që të lirohen këto tekste mësimore dhe të shkojnë atje ku janë nisur, në duart e nxënësve të shkollimit fillor në Luginë të Preshevës”, tha para protestuesve Ragmi Mustafa, kryetar i komunës së Preshevës.
“Lejoni tekstet për nxënësit shqiptarë, respektoni normat ndërkombëtare, mos cenoni të drejtat e shqiptarëve, respektoni parimin e reciprocitetit”, tha kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, duke iu drejtuar qeverisë së Serbisë, njofton Titulli.com.
“Duam reciprocitet. Sikur serbët që mësojnë në Republikën e Kosovës, duam edhe në për nxënësit tonë t’i marrim tekstet nga Kosova”, theksoi ndër të tjerash, kryetari i KKSH-së, Jonuz Musliu.
Protestuesit mbanin në duar flamuj kombëtar shqiptarë dhe pankarta me tituj si “Duam librat tona”, “S’ka BE pa libra shqip”, “Jo ne terminal po në shkolla” dhe të tjera.