Shkruan: Fehmi Sylejmani
Kohëve të fundit, ikja në amshim, fatkeqësisht gjithnjë e më tepër po rritet. Sot, paska ndërruar jetë edhe një legjendë e basketbollit gjilanas, Ergin Sherifi.
Një sportist i kompletuar dhe shumë dimensional, një qytetar me kulturë të gjerë e një profesionist i mirëfilltë.
Erginin, kam pasur rast ta njoh shumë herët, një personalitet me vlera të larta, shembull i përkushtimit profesional, shoqëror e i vlerave njerëzore.
Ai ishte sportist model, me basketboll kishte nisur të merrej herët, ishte pjesë e 5-shes së parë në pozitën e plejmekerit për skuadrën e atëhershme të basketbollit gjilanas.
Më pas ishte edhe zyrtar i lartë i Dritës, në kohën e titullit të parë të skuadrës bardheklatër, Ergini ishte në rolin e sekretarit të klubit.
Pos, kontributit si zyrtar klubi në Drita, ai ishte edhe gjyqtar i lojës së koshave, dhe kishte një qëndrim dinjtioz e profesional dhe çmohej tepër shumë për ndarjen e drejtësisë.
Ka kryer edhe zejen e trajnerit, veçanërisht ka kontribuar për skuadrën e femrave.
Veç basketbollit, ai ka provuar të luaj edhe futboll, kishte djersitur fanellën e një skuadre amatore të qytetit të Gjilanit.
Ergin Sherifi, ishte pensionuar si pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Ai do t’i mungojë jo vetëm familjarëve të tij, por edhe qytetit të Gjilanit, sepse ishte njeri i edukuar, i arsimuar dhe një model frymëzues i shumë gjeneratave.
Ngushëllim familjarëve dhe rrethit shoqëror!
Pusho në paqen e pasosur të amshimit, legjendë! /2LLONLINE/