Vetëvendosje, Qendra në Gjilan iu është kundërpërgjigjur Lutfi Hazirit, kandidatit që LDK e ka nominuar për garën për kryetar komune, pasi ky kishte “thumbuar“, me deklaratën e tij, të thënë në takimin e degës së LDK-së, se: “Dy partitë rivale në Gjilan dalin me kandidatura ‘herë unë e herë baci’ sepse janë parti të kusherinjve, të djemve të axhës. Kjo logjikë kurrë nuk ka pasur vend në LDK sepse ne jemi parti e vlerave dhe e konkurrencës, e jo e familjarizimit…”
Për më tepër shih: Luta ironizon me kandidaturat e rivalëve: ‘herë unë e herë baci’!
Por, kryetarja e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan dhe deputete në Kuvendin e Kosovës, Besa Baftiu iu është kundërpërgjigjur Hazirit, duke ia rikujtuar atij, ironinë e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, se Prishtinën e fiton me duar në xhepa, dhe pastaj humbi, dhe se i njëjti fat e pret edhe Lutfi Hazirin-Lutën.
“Luta paska filluar të ironizojë, siç paskan thënë mediat, mirëpo edhe Isa Mustafa në zgjedhjet e vitit 2013 pat ironizuar me qytetarë se – Prishtinën e fitojmë me duar në xhepa, por u pa se kush doli të jetë fitimtar – Lëvizja Vetëvendosje që ishte gjithmonë afër qytetarëve e, jo ata që qëndronin me duar në xhepa”, ka thënë Baftiu.
Ajo ka shtuar se qytetarët vendosën me 11 qershor se kujt i përket ta qeverisë Gjilanin, pra Lëvizjes Vetëvendosje dhe se po ashtu më 22 tetor, vetëm se do të rikonfirmohet se Gjilani do të jetë i qytetarëve dhe i Lëvizjes Vetëvendosje.