“Në jetën e tyre të përditshme, burrat dhe gratë që u japin mësim fëmijëve tanë, përmbushin premtimin e shtetit tonë që aspiron demokracinë e barazinë. Për më tepër, si kategori që ka dhënë kontribut të veçantë historikisht, mësuesi meriton respektin më të lartë”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga zyra për informim, Komuna e Kamenicës.
“Edhe Komuna e Kamenicës është duke e përcjellë me shqetësim grevën e mësimdhënësve. Bëjmë apel që të gjendet një rrugëdalje nga kjo situatë ku më së shumti janë duke humbur fëmijët. Lufta për të drejtat e punëtorëve dhe barazi duhet të vazhdojë, mirëpo përparimi ynë si shoqëri ndodhë vetëm krahas përparimit në arsim dhe për këtë është shumë e rëndësishme që të vazhdojë mësimi sa më parë për të mos humbur më shumë nxënësit”, thuhet në komunikatë.