Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ministrisë së Pushtetit Lokal, Goran Rakiq, ka nënshkruar marrëveshjet e mirëkuptimit me dhjetë komuna, (Graçanicë, Gjilan, Istog, Leposaviq, Viti, Zveçan, Zubin Potok, Pejë, Mitrovicë e Veriut dhe Fushë Kosovë), të cilat pas dorëzimit të projekt propozimeve dhe verifikimit nga ana e komisionit, në ftesën (thirrjen) e hapur nga ministria, plotësuan të gjitha kriteret dhe kanë fituar të drejtën për grant.
Qëllimi i këtyre projekteve është zhvillimi i infrastrukturës socio-ekonomike, dhe vlera totale e ndarë nga buxheti i MPL-së për investime kapitale është 573.347.00 euro, me mundësi të bashkëfinancimit nga ana e komunave.
E përfitues është edhe Gjilani dhe këtë e ka bërë me dije edhe nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, që është takuar me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Ministrisë së Pushtetit Lokal, Goran Rakiq, dhe i cili ia konfirmoi lajmin që Gjilani pas dorëzimit të projektpropozimeve dhe verifikimit të komisionit nga ministria, ka fituar të drejtën për grant në vlerë 50 mijë euro, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Ky grant ka për qëllim krijimin e qeverisjeve më të mira lokale në nivel vendi.
“Ne si komunë, u jemi mirënjohës Ministrisë së Pushtetit Lokal për bashkëpunimin konstruktiv ndërmjet dy institucioneve tona, ku me këto mjete do të investojmë në qëllimin e destinimit të tyre, pra në investimin e projekteve infrastrukturore, të cilat shërbejnë në ndërtimin dhe përmirësimin e kushteve për qytetarët e Gjilanit”, ka thënë nënkryetari Ismajli. /2LONLINE.com/