(2L ONLINE) – Përgjatë historisë nëpër të cilën ka kaluar njerëzimi shpesh ka ndodhur që popujt e frustruar mu ashtu sikur individët Janë bërë pre e lehtë e ideologjive si dhe ndikimeve të marra e sharlataneske, që kanë shpënë në ekstreme dhe veprime që i kanë hije vetëm instinktit dhe botës shtazore e jo mendjes së shëndoshë dhe logjikes së pastër njerëzore.
Dhe nëse një të tillë do të kërkonit në Evropë do e gjeni tek vetja. Do ta gjeni në Kosovën e dërmuar që vlon nga pseudo të të gjitha llojeve të mundshme që bëjnë një shoqëri! Dhe kështu vjen deri te devijimi i çdo gjëje që ka vlerë dhe peshë për një shoqëri të organizuar dhe të qëndrueshme.
Ka devijuar besimi, morali, arsimimi, muzika, kënga, teksti, libri, shkenca, tregtia… E, qe besa edhe vetë qenia nacionale dhe ajo që të bënë të jesh ti!
A nuk thanë atë që ne nuk qenkëshim në gjendje të sillemi si shoqëri e organizuar por vetëm si fise dhe individ , që njohim dhe sillemi sikur vetëm sipas ligjit të oborrit të secilit nga ne. Do me thënë ajo që është publike dhe përgjegjësi kolektive nuk është se na intereson shumë.
Nuk e tha kot ai vrojtuesi i huaj që kishte vizituar trojet shqiptare kur tha se: pjesa më e mirë e popullit shqiptarë janë femrat sepse atje ku kujdeset dhe sundon ajo do të thotë brenda mureve të oborrit të vet, ka rregull dhe pastërti ndërkaq jashtë mureve të oborreve të shtëpive ku kujdesen burrat është plot bërllok e sharje, fyerje e kacafytje.
Është kjo një sentencë e atij konglomerati dëshpërimesh dhe paradoksesh që po i ndodhin shoqërisë sonë që pa as më të voglin dyshim, mund të themi se kjo shoqëri është në kërkim identiteti.
Lëre më që kinse dashuria ndaj ndërkombëtarëve devijoi deri në servilizëm qorr dhe të béhet sikur as edhe nevojat fiziologjike, që në fakt nuk donë shumë dituri por janë detyrime natyrore, nuk mundemi ti bëjmë vetëm pa u konsultuar me ta (kërkoj ndjesë për pak banalitet)
Dhe çfarë po bëjmë tani së fundmi?! Kemi ardhur deri aty sa që kemi filluar të bëhemi besëtytë vend e pa vend, të besojmë në iluzione derisa kërkojmë këshilla dhe kërkojmë njëfarë lloji ndihme si të pa shpresë ,në mënyrën më të dukshme publike nga lloj-lloj fallxhori dhe sharlatanë që mbushin zbrazëtinë profesionale dhe etike që mungon me të madhe në shoqërinë tonë.
Asgjë kundër biznesit të askujt përderisa ai nuk kalon në diçka që identifikohet me bastardinë! Kështu që edhe fallxhoret apo “parashikuesit-et” e ardhmërisë mund të bëjnë biznesin e tyre në hapësirat e tyre private, për nevojtarët që mundohen të kapen edhe për një fije bari që të shpëtojnë apo lirohen nga brenga e tyre!
Por kur kjo merr përmasa të tilla kur një medium që pretendon se është i besueshëm dhe serioz dhe duhet besuar shkrimeve që nxjerr në faqet e saja, merr për sipër dhe angazhon një fallxhore (zonjën Meri) për të parashikuar e edhe për të i interpretuar çështje me rëndësi shtetërore si dhe akterët e saj, e aq më keq kur merren me fytyra politike që nuk i pëlqejnë mediumit të shkruar. Bile, fusin në kryetituj edhe pjesë që nuk i përkasin kontekstit të deklaratës/thënies! Vetëm sa për të denigruar personin e caktuar.
Unë për vete konsideroj se gazetaria përveç rolit informues ka edhe atë edukues. Mësuesi edukon rininë ndërsa gazetaria masën. Prandaj kujdes! A pak i luhatur po ju duket ky njeriu ynë që goditet nga të gjitha anët negativè e të cilat shohin vetëm interesin e tyre?!
Më shumë pozitivitet, larg falleve dhe më realistë, që mos krijojmë iluzionin se falli na i rregullojnë realitetin.
/Xhelil ARIFI /2LONLINE/