Policia e Kosovës në vazhdën e hetimeve shtesë, si dhe gjatë analizimit të provave materiale të grumbulluara për këtë “figurë të veprës penale”, kanë identifikuar edhe dy persona të dyshuar të inkriminuar në veprat penale “Legalizim i Përmbajtjes së pavërtetë” dhe “Manipulimi me prova”.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se mënyra e të vepruarit dhe modalitetet e inskenimit të aksidenteve nga, këta dy të dyshuar kanë qenë të natyrës së njëjtë me tetë të dyshuarit e përfshirë në raportin e parë të përpiluar në lidhje me këtë çështje.
LEXO EDHE: Arrestime të shumta për aksidente të inskenuara (fiktive)
“Të dyshuarit Sh. O. (1973) dhe R.G.(1989) që të dy shqiptarë, shtetas të Kosovës, janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës. Bazuar në dokumentimin e më sipërm Prokurori i shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin ndaj të dyve në afat prej 48 orësh. Hetimet do të zgjerohen edhe në drejtim të të dyshuarve të tjerë të implikuar në veprat e ngjashme penale të po të njëjtës natyrë në lidhje me aksidentet e inskenuara”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Sipas tij, hetimet janë duke u kryer nga policia e Kosovës njësitet e hetimeve rajonale Drejtoria e Policisë së Kosovës në Gjilan.