I prekur nga tragjedia që i ka ndodhur Shqipërisë pas tërmetit nga i cili pati edhe viktima, Faik Junuzi, babai i dëshmorit të kombit Sherif Jonuzi, i ka vlerësuar jashtëzakonisht shumë të gjithë ata që po ndihmojnë në çfarëdo forme, ndërsa edhe ai dëshiron t’i bashkohet këtyre veprimeve humane, por me një dedikim të veçantë, transmeton 2LONLINE.com.
Faik Junuzi ka thënë se djali i tij mori pushkën në dorë për të luftuar për liri dhe bashkim kombëtar dhe ra dëshmor. Me që ai tani është në përjetësi, Faik Junuzi thotë se e ndjenë si baba, se djali dëshmor do të vazhdojë të jap kontributin e tij drejt qëllimit që kishte edhe përmes të gjallëve, për këtë arsye mjetet që merren në emër të tij, pensioni mujor që i merr familja e dëshmorit do t’i dhurohen atyre që janë prekur nga tërmeti.
Babai i dëshmorit thotë se në këtë mënyrë dëshiron të përçojë një mesazh se dëshmori i kombit Sherif Junuzi edhe nga vendi i bekuar, ku janë dëshmorët, do që të kontribuojë sepse amaneti i tij ishte liria dhe bashkimi kombëtar dhe si prind dëshiron ta ndërmerr këtë veprim në emër të tij.
Faik Jonuzi tha se paga mujore nuk është se është ndonjë shumë e madhe por se ajo mund të jetë më se e nevojshme për dikë që ka pësuar nga tërmeti. Një e veçantë tjetër është edhe fakti se pensioni do të jetë i muajit nëntor, muajit të Flamurit Kombëtar me të cilën edhe u mbulua trupi i dëshmorit, transmeton 2LONLINE.com.
Ai fton edhe të tjerët që edhe në këtë mënyrë ta zhbëjnë kufirin shqiptaro-shqiptar duke e bërë edhe vendin një, edhe popullin një, siç e deshi dëshmori., e t’i ndihmojmë njëri tjetrit në nevojë.
Përndryshe, Sherifi Jonuzi fillimisht ishte ushtar i UÇK-së ku me nder iu përgjigj kushtrimin të atdheut e pushkën nuk e lëshoi nga dora. Ai iu bashkua edhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë Medvegjë e Bujanoc – UÇPMB, ku edhe ra dëshmor më 21 prill viti 2000, në Gjergjevc të Komunës së Bujanocit, si ushtar i UÇPMB-së. AI gëzon statusine dëshmorit të UÇK-së.