Ministria e Financave në bashkëpunim me USAID-in, projektin “Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse”(TEAM), kanë organizuar sot tryezën “e-Prokurimi, Sfidat dhe Mundësitë”, ku u elaborua situata në të cilën gjendet e-prokurimi si proces dhe mundësitë për përmirësime në të ardhmen, sidomos tash kur USAID përmes projektit TEAM ka mundësi të asistojë në këtë fushë.
Në këtë tryezë morrën pjesë zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi, zëvendësdrejtori i misionit të USAID-it Mike de la Rosa, kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik Safet Hoxha, drejtori i projektit të USAID-it “Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse” Stephen Carpenteer, përfaqësues tjerë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përfaqësues të Shoqërisë Civile përfaqësues të 5 komunave të përzgjedhura për mbështetje Komuna e Prishtinës, Komuna e Gjakovës, Komuna e Pejës, Komuna e Gjilanit, si dhe komuna e Vushtrrisë.
Në hyrje të kësaj tryeze drejtori i projektit të USAID-it “Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse” Stephen Carpenteer, theksoi se projekti i USAID-it EKIPI (TEAM) vjen në kohën e duhur për të ndihmuar Qeverinë e Kosovës në përgjithësi dhe KRPP, në veçanti për të përfunduar me sukses zbatimin e sistemit të prokurimit elektronik.
“Ky takim është hapi i parë për të kuptuar plotësisht sfidat me sistemin dhe të fillojë koordinimin e aktiviteteve. Përmes koordinimit të kujdesshëm me aktivitete të tjera të donatorëve, të tilla si projekti i prokurimit të financuar nga BE, Qeveria e agjencive të Kosovës, si dhe partnerët e shoqërisë civile, ne do të mbështesim prokurimet efektive dhe transparente në nivel komunal”, shtoi drejtori i projektit të USAID-it TEAM Stephen Carpenteer.
Ai gjithashtu bëri të ditur se “Qëllimet e aktiviteteve të EKIPËS janë në përputhje me qëllimet e Qeverisë së Kosovës: Ne do të punojmë me KRPP-në për të ngritur aftësinë e tyre afatgjatë për të funksionuar dhe për të mirëmbajtur sistemin e prokurimit si dhe për të rritur aftësinë e tyre për të trajnuar zyrtarët komunal të prokurimit, auditorët e brendshëm, operatorët ekonomikë, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe përdoruesit tjerë në nivel nën-kombëtar, duke çuar në rritjen e transparencës dhe efikasitetit në procesin e prokurimit komunal”.
Ndërsa, zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi bëri të ditur se “Kërkesa për forcimin e llogaridhënies dhe efektivitetit në prokurimin publik si mjet për përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e besimit të publikut duke filluar nga niveli komunal e deri te ai qendror, është edhe kërkesë e Ministrisë së Financave që pajtohet plotësisht me qëllimin e projektit të Juaj.”
“Projekti i USAID-it Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse vjen në kohën e duhur për t’i mbështetur këto përpjekje. Duke punuar ngushtë me partnerët – përfshirë kryetarët e komunave, kuvendet komunale, zyrtarët e prokurimit dhe auditorët – dhe me përkrahjen e ndërlidhjen me nivelin qendror të qeverisjes, agjencitë e pavarura dhe shoqërinë civile, projekti do të promovojë ndryshime të qëndrueshme në nivelin lokal”.
Sipas tij, projekti i USAID-it “Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse” do të ofrojë asistencë të plotë në pesë komunat e përzgjedhura për t’u vënë në fokus me anë të monitorimit, trajnimit dhe udhëzimit nga dita në ditë, për të krijuar sisteme të cilat do të përmirësojnë mënyrën se si ato japin llogari për fondet dhe shpenzimet publike.
“Ky projekt do të ofroj trajnim për zyrtarët e prokurimit të 38 komunave, mbi parimet themelore të një cikli të prokurimit dhe udhëzime se si të bashkëpunojnë me partnerët e tjerë komunalë, të tillë si Njësitë e Auditimit të Brendshëm (NJAB-të) dhe Komitetet Komunale të Auditimit për të përmirësuar korrektësinë, transparencën dhe mbikëqyrjen e prokurimit” shtoi zëvendësministri Krasniqi.
Zëvendësministri Agim Krasniqi theksoi se Ministria e Financave në këtë proces ka kryer detyra me rëndësi të veçantë, duke përfshirë këtu edhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës.
Fillimi i aplikimit të platformës elektronike, është edhe në përputhje me standardet evropiane për transparencë, efektivitet dhe mbikëqyrje të prokurimit.
“Ajo që e karakterizon qëllimin e projektit tuaj e që njëkohësisht është edhe qëllim i Ministrisë së Financave është që përveç të metave, problemeve, vështirësive, lëshimeve e dobësive, tash të vihen në pah edhe sukseset dhe të arriturat e zyrtarëve të prokurimit. Pra, të dihet se jo gjithçka është keq por ka edhe plot aktivitetete të prokurimit që mund të shërbejnë model për punë të suksesshme, për transparencë të plotë, trajtim të barabartë, jo-diskriminim dhe përzgjedhje të drejtë”, shtoi Zëvendësministri Krasniqi.
Ai bëri të ditur se Ministria e Financave është e gatshme që ta mbështesë me kapacitetet e veta në çdo kohë bartësin e këtij projekti duke pritur njëkohësisht rezultate të shkëlqyera si edhe deri tash për projektet e mbështetura nga USAID.
Zëvendësdrejtori i Misionit të USAID-it në Kosovë, Mike De La Rosa, theksoi se USAID mbetet i përkushtuar për të implementuar reformën për parandalimin e korrupsionit, në mënyrë që të rritet besimi në institucionet vendore.
“Kjo do të rris besimin në institucionet në Kosovë dhe kjo do të rris investimet dhe të krijoj vende të reja të punës. Kjo nuk do të ishte e mundur pa luftimin e korrupsionit nga të gjithë akterët”, shtoi zëvendësdrejtori i USAID-it Mike De La Rosa.
Ai bëri të ditur se ky projekt do ti mbështes Qeverinë dhe komunat e Kosovës që përmes e-prokurimit të rritet transparenca dhe llogaridhënia.
Ndërsa, kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik Safet Hoxha duke prezantuar projektin për Prokurimin Elektronik, bëri të ditur se zhvillimi i platformës së e-prokurimit ka filluar në dhjetor të 2014 i financuar nga Banka Botërore që ka qenë pjesë e modernizimit të sektorit publik. Implementimi i tij ka filluar nga Janari i 2017.
Sipas tij ky sistem është i ndërlidhur me sistemin e ATK-së për verifikimin e të dhënave, si dhe ofrimi i trajnimeve ka qenë gjithashtu pjesë e pakos dhe ky sistem është në tri gjuhë zyrtare.
“Falënderoj USAID-in që na ka dhënë mundësinë që të ndajmë sfidat si dhe asistencën që të realizojmë një prej projekteve më të rëndësishme të Republikës së Kosovës. Dua ti falënderoj OJQ-të me të cilat kemi ndarë sfidat e Prokurimit Publik dhe ky është një moment i mirë për ti falënderuar mediat dhe OJQ-të për kontributin e dhënë në këtë proces”, shtoi kryetari i KRPP-së Safet Hoxha.