Lindja e një fëmije është ngjarje që nuk harrohet dot. Por, jo për të gjithë, me sa duket!
Me siguri jo për çiftin e ri gjerman nga Hamburgu që kishte thirrur një taksi për udhëtimin e parë të foshnjës nga materniteti.
Kur mbërritën përballë shtëpisë së tyre, ata paguan taksistin dhe zbritën bashkë me djalin e madh 1 vjeçar, por për arsye që vështirë mund të kuptohen harruan në brendësi të porsalindurin.
Pak sekonda hutimi që u shndërruan në panik sapo prindërit kuptuan gabimin. Babai ndoqi me vrap taksinë, por mjeti kishte ikur në drejtim të panjohur.
Akoma më i jashtëzakonshëm fakti që foshnja e heshtur nuk u zbulua fillimisht nga shoferi, i cili madje parkoi makinën për të ngrënë drekë.
Vetëm në kthim, klienti i parë që po transportonte në aeroport i bëri një pyetje të thjeshtë: “Po ky bebi këtu?”
Taksisti njoftoi menjëherë policinë, dhe pas një kërkimi të shpejtë i sapolinduri iu kthye brenda ditës familjes së tij të hutuar.