Pak orë më parë në media qarkulloi lajmi se ndeshja ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës pritet të luhet më 4 qershor dhe me praninën e shikuesve.
Ndërsa, nuk ka vonuar shumë dhe një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe FFK, nëpërmjet një komunikate për media.
Ndër tjerash në njoftim thuhet se këtë gjë tanimë UEFA i aka kumtuar të dy Federatave.
Ja njoftimi i plotë:
Ndeshja gjysmëfinale e “play-off”-it në kuadër të Ligës së Kombeve për kualifikim në Euro 2020, ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të zhvillohet më 4 qershor në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup në praninë e tifozëve. Një vendim të tillë federatave respektive ua ka komunikuar UEFA gjatë ditës së sotme.
Kjo ndeshje ishte paraparë të zhvillohej më 26 mars, mirëpo si pasojë e përhapjes së koronavirusit Covid-19 në shumicën e vendeve të Evropës, UEFA vendosi t’i pezullojë të gjitha aktivitetet e muajit mars dhe prill dhe njëherësh edhe ta shtyjë Kampionatin Evropian për një vit, në mënyrë që të ruhet shëndeti i të gjithëve dhe njëherësh t’i jepet mundësi federatave që t’i përfundojnë deri në fund të qershorit kampionatet e tyre kombëtare.
Ndërkohë, ndeshja finale e “play-off”-it do të zhvillohet më 9 qershor, ku do të ballafaqohet fituesi i ndeshjes Maqedoni e Veriut – Kosovë me fituesin e ndeshjes tjetër gjysmëfinale Gjeorgji – Bjellorusi. Finalja siç dihet është përcaktuar me short dhe do të zhvillohet në Gjeorgji ose Bjellorusi.