/2L ONLINE/ – Projekti i Komunës së Gjilanit “E-Kioska”, tani ka avancuar softuerin për të ngritur në gjashtë numrin e shërbimeve të tjera të administratës, që ofrohen përmes E-Kioskut”, e ku qytetarët mund t’i marrin aty, pa pas nevojë të futen brenda objektit dhe ta kërkojnë një shërbim të tillë nga zyrtari komunal në sportel.
Janë tri “E-Kioska” të vendosura në Gjilan dhe në njërën nga to, atë të vendosur para objektit të Administratës, nga drejtori i Administratës së Përgjithshme, Nazim Gagica është bërë test-programi për shërbimet shtesë, ku janë dhënë shërbimet e para të reja për qytetarë.
Gagica ka thënë se Gjilani shënon sot hapin tutje të shërbimeve civile me shtimin e shërbimeve në “E-kiosqet”, që janë në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj, që dëshirojnë të kenë shërbime 24 orë. Falë këtij aplikimit edhe të këtij shërbimi, qytetarët tani nuk kanë nevojë as të presin e as të kontaktojnë sportelet tona edhe për gjashtë shërbime tjera, produkte, dokumente të Gjendjes Civile, si ekstrakt të lindjes, certifikatë të lindjes, të martesës, atë familjarë, të vendbanimit, të shtetësisë si dhe shërbime shtesë, kërkesa, ankesa dhe gjendjen e tatimit në pronë.
Gagica tha se sot po e bëjnë testin e parë për të parë si po funksionojnë shërbimet e reja në këtë pikë, dhe doli të jetë krejt në rregull andaj dhe avancimi i softuerit për këto shërbime të reja do të bëhen edhe në dy pika tjera ku ndodhen “E-Kiosqet”.
Gagica, tha se Komuna e Gjilanit prin me inovacion, shërbime më të mira dhe kreativitet në nivel vendi. Sipas tij, tani qytetarët këto shërbime i kanë në disponim në “E-Kiosqet”, të cilat do të jenë 24 orë në dispozicion të tyre dhe kështu po rritet cilësia e shërbimeve për dokumentet e gjendjes civile.
Ndërkohë, disa qytetarë që shfrytëzuan “E-Kioskun”, për tu pajisur me dokumente te reja të Gjendjes Civile thanë se për herë të parë po e përdorin dhe e vlerësuan si efikas pasi qenka një lehtësim i madh për ta, për shkak të përdorimit të lehtë, por edhe shërbimit të shpejtë.
Përndryshe, “E-Kisokat” aktualisht pranojnë monedhën prej 1 euro dhe atë 50 cent, me të cilat qytetarët mund t’i kryejnë shërbimet. /2L ONLINE/