Intervistë me Valentina B. Rexhepi, kryetare e FG-s së LDK-së në Gjilan
(2LONLINE) – Kryetarja e sapozgjedhur e Forumit të Gruas (FG) të LDK-së së Gjilanit, Valentina B. Rexhepi, pak ditë më parë, në një konferencë për gazetarë, reagoi ashpër kundër qeverisjes aktuale në qytet, duke thënë se, qeverisja aktuale e kësaj komune po e injoron skajshmërisht pozitën e gruas. Ne zhvilluam një bisedë rasti për Portalin “2LONLINE”.
“2LONLINE”: Po e fillojmë nga e para, cila është biografia e juaj?
Valentina B. Rexhepi: Jam e lindur në Gjilan. Kam të kryer shkollën e lartë pedagogjike në Prishtinë me 2001, matematike. Jam në prag të diplomimit në shkencat matematikore në USHT. Prej vitit 2003 punoj në arsim si profesoreshë e matematikës. Kam qenë kryetare e FG të LDD në Gjilan dhe nënkryetare e FG te LDD-se në qendër. Jam edhe kryetare e KF të femrave ‘DRITA GJ’ në Gjilan. Shtoj edhe këtë se, jam anëtare e kryesisë së LDK-së në Gjilan e prej 15 dhjetorit të vitit 2012, kryetare e FG së LDK-së në Gjilan.
“2LONLINE”: A është e vështirë për një femër të jetë politikane në Kosovë?
Valentina Rexhepi: Shihni, nuk është edhe lehtë të jesh politikane. Nuk është “zanat”, por është përvojë dhe përkushtim. E kam përkrahjen nga babai im dhe familja, mandej miqve dhe, në veçanti e kam përkrahjen e burrit tim. Të gjitha këto “sfida” kalohen. Sot, të jesh femër dhe të merresh me politikë, është sfidë. Vështirësitë janë kudo në jetë, e në politikë, në veçanti. Por, e kam besimin e plotë në vetvete që më bën shumë të fortë, andaj deri më tani i kam përballuar të gjitha sfidat e kësaj kohe…
“2LONLINE”: Ku dalloni politikën me profesionin e juaj me ditar në dorë?
Valentina B. Rexhepi: Puna me ditar në dorë është mision, detyrë e shenjtë. Arsimimi i gjeneratave të reja është porta kryesore e zhvillimit të një shteti. Nuk ka ecje përpara pa arsimim. Kjo është e para prej të parës. Unë ndihem shumë e privilegjuar që jam me nxënës, sepse, ata më japin përherë kurajo që të punojmë për ta, t’u ofrojmë atyre një jetë më të mirë. Ata janë meritojnë shumë më shumë se sa ne punojmë. Politika është diçka tjetër. Është një labirint me shumë rreziqe për të arritur në një qëllim, rrugë e mundimshme dhe me plot sakrifica ku nuk mund ta gjesh kënaqësinë e arsimit. Por, obligimet dhe morali i fortë më detyrojnë ti përballoj edhe këto barriera që janë prezentë kudo afër nesh. Fundja, ja vlen të mundohemi për gjeneratën që po vjen e dinjitetshme…
“2LONLINE”: A keni pasur vështirësi gjer tek ky post ku jeni tani?
Valentina B. Rexhepi: Realisht, jo. Kam shumë miq e dashamirë tek të cilët e kam respektin reciprok. Autoriteti nuk imponohet, por fitohet me sinqeritet. Jam shumë e drejtpërdrejtë me njerëz, por jam edhe shumë e sinqertë në mendime e ide. Vendimet që i marr nuk i tërheq dhe këto atribute më bëjnë shumë krenare, asgjë nuk ka vlerë nëse të servohet në pjatë, pesha e saj është shumë më e madhe nëse mundohesh për një qëllim, lufton për të, sepse mendoj se atëherë e vlerëson edhe vetën tuaj.
“2LONLINE”: Pse e keni ndërruar subjektin nga LDD-ja dhe tash gjendeni në LDK?
Valentina B. Rexhepi: Po. E dhimbshme është kjo pyetje, sepse më prek, më rëndon.. Nuk kisha dashur të ma bëje me dëshirë, por do të përgjigjem shumë sinqerisht. Zhvillimet politike në vend, pas vdekjes së dr.Ibrahim Rugovës, morën një kahje krejt tjetër, krejt të mbrapshtë, ku si pasojë e saj është edhe gjendja momentale në vend. Akademik, Nexhat Daci, ka qenë dhe është një njëri intelektual me vlera të pamohueshme. Është vizionar shumë i denjë, i jam shumë mirënjohëse sa e kisha kryetar, sepse vazhdimisht e kam pas përkrahjen e tij, respektin e pamohueshëm. Por, te ai kam pasur rast të jem mysafire në shtëpinë e tij dhe personalisht kam një simpati të veçante për të. Kurrë nuk kam besuar se do të vije momenti kur unë do ta ndërroj rrugën, mënyrën për të arritur në të njëjtin vend, në të njëjtin qëllim e ky qëllim është një jetë më e mirë, më e dinjitetshme dhe më e respektuar për qytetarin e Kosovës. Ishte ky vendimi më i vështirë në jetën time, por i paevitueshëm gjer më tani.
“2LONLINE”: Ka pasur ndonjë “pengesë” gjerë këtu?
Valentina B. Rexhepi: Pengesat paraqiten kudo. Çdo sfidë është problem në vete. Dhe, nëse ato arrijnë qëllimin e tyre, atëherë njeriu dorëzohet. Tek unë është e kundërta, pikërisht sfidat, pengesat e shumta më bëjnë më të fortë, më japin arsye dhe forcë për të vazhduar më tej jetën që e dua shumë, pse jo?
“2LONLINE”: Jeni zgjedhur udhëheqëse e Forumit të Gruas së LDK-së, çka do të thotë kjo për ju?
Valentina B. Rexhepi: Përgjegjësi, detyrë që do angazhim, nuk është privilegj, por obligim për të punuar, me ndihmën e bashkëpunëtorëve të mia do të vazhdojmë më tutje, qëllimi ynë është ofrimi i mundësive të gruas gjilanase për të jetuar denjësisht dhe pa dhe pa brenga krahas gjinisë së kundërt. Është hera e parë që reagova se më duket se gruaja po injorohet nga qeverisja lokale. Si kryetare e FG-s së LDK-së në Gjilan, përherë do ta ngriti zërin dhe jam në shërbim të femrave tona pa dallim.
“2LONLINE”: A shihni se do te keni përparime në detyrën e juaj?
Valentina B. Rexhepi: Patjetër. Sprovat janë test i mirë për suksese të reja. Gjendja aktuale është e pa e papërballueshme për të gjitha shtresat shoqërore në Kosovë. Njerëzit janë të lodhur me këtë gjendje, me premtime boshe të fushatave të popullarizuara, ata duan ndryshime, jo më fjalë, por me vepra, e pikërisht veprat janë elementi më i mirë për avancimin dhe përmirësimin e jetës së qytetarit. Unë do të mundohem të jem në shërbim të gruas gjithmonë pa hezitim.
“2LONLINE”: Një mesazh për femrat e tjera?
Valentina B. Rexhepi: Ftoj të gjitha femrat në Gjilan që të mos ngurrojnë, për çdo brengë të tyre FG i LDK-se e ka derën hapur pa dallim moshe, profesioni a orientimi partiak. Vetëm me sinqeritet në punë ecim sigurt për një të ardhme më të mirë./ intervistoi: Tefik Selimi/