Gjatë luftës së fundit në Kosovë rezultojnë të zhdukur mbi 1 mijë e 700 persona. Kjo është një e dhënë zyrtare e pranuar nga pala kosovare, dhe nga ajo serbe gjithashtu.
Por 14 vite më pas, rezulton se ushtria serbe gjatë kohës së luftës ka rrëmbyer fëmijë shqiptarë duke i dërguar në Serbi për adoptim në familjet serbe. Një gjë e tillë është pohuar në bazë të ankesave nga ana e familjarëve, drejtuar Komisionit për Persona të Zhdukur, shkruan Shekulli.
Prenkë Gjetaj, nga ky komision, ka thënë se një gjë e tillë nuk përjashtohet të ketë ndodhur, edhe pse nuk posedojnë shifra zyrtare. Ai ka treguar një rast konkret të një familjeje nga Fushë Kosova, e cila pretendon se fëmijën e tyre të zhdukur gjatë luftës, e kanë parë në një televizion serb në një sekuencë të shkurtër.
“Ka qenë një rast nga Fushë Kosova, ku xhaxhai i fëmijës së zhdukur beson se djali i vëllait të tij, është parë në një sekuencë filmike të shkurtër në televizionin serb B92. Dhe tani ai beson se djali i tyre është gjallë dhe i adoptuar nga një familje serbe. Bëhet fjalë për rastin e Lozhanit, ku në autobusin e ushtrisë serbe kishin futur civilët shqiptarë nga Fushë Kosova, të cilin e kishte goditur pjesërisht një predhë e aeroplanit të NATO-s.”, është shprehur Gjetaj.