Dymbëdhjetë infermierë, të trajnuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës, kanë arritur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ata kanë përfunduar të gjitha përgatitjet bazike dhe do të qëndrojnë në klinikat e QKUK-së për 30 ditë, varësisht nga nevoja, që të ofrojnë ndihmën e nevojshme për pacientët e prekur me virusin COVID-19.
Ushtruesi i Detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, tha se prezenca e infermierëve të FSK-së është dëshmi e një bashkëpunimi të shkëlqyeshëm në luftën ndaj pandemisë COVID-19.
“Jam i privilegjuar që po fillon ky mision dhe kam shumë besim në profesionalizmin dhe kapacitetin e tyre, po ashtu edhe në ndihmën që do t’ua ofrojnë kolegëve tanë. Ky është vetëm fillimi, javët në vazhdim do të vijnë edhe ekipe tjera”, tha Krasniqi.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ndërkaq, deklaroi se bashkëpunimi ndërinstitucional në ballafaqimin me pandeminë po jep rezultatet e veta.
“Ky aktivitet është një imputo i rëndësishëm në punën dhe përkushtimin, të cilin po e bëjnë profesionistët shëndetësorë. Kjo tregon që bashkëpunimi ndërinstitucional dhe mobilizimi i përgjithshëm për ta luftuar pandeminë, po jep rezultatet e veta”, theksoi Zemaj.
Në anën tjetër, Shkëlzen Syla, drejtor i përgjithshëm i Qendrës Mjekësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha se infermierët do të ndahen në katër njësi dhe fillimisht do të nisin punën në Klinikën Infektive.