Dygjuhësia te fëmijët dhe ndikimi i gjuhës së dytë në gjuhën e tyre amtare

Dygjuhësia te fëmijët dhe ndikimi i gjuhës së dytë në gjuhën e tyre amtare

Sot është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare! Me këtë rast, dua të ndaj me ju disa fakte të nxjerra nga studimi im me temë “Dygjuhësia te fëmijët dhe ndikimi i gjuhës së dytë në gjuhën e tyre amtare”, për të gjithë prindërit që gabimisht dhe pavetëdijshëm e nënvlerësojnë këtë proces, duke e kthyer vëmendjen te gjuha angleze.

Nga: Liridona Syla

Që në moshën 4 vjeçare, fëmija veçse përvetëson bazat e gjuhës së tij amtare, dhe, deri në kohën kur fillon shkollën, ai veçse ka konsoliduar rreth 80% të sistemit gramatikor dhe më shumë se 90% të sistemit tingullor në gjuhën e tij amtare.

Hulumtime të ndryshme theksojnë faktin se nëse fëmija nuk ka qenë i ekspozuar ndaj tingujve të veçantë në gjuhën e tij amtare, me kalimin e kohës, ky proces bëhet mjaft i vështirë. Nëse fëmija ndalon përdorimin e gjuhës amtare gjatë përditshmërisë së tij, dhe në këtë rast, përdor një gjuhë tjetër, fillon procesi i asimilimit. Gjuha e tyre amtare është në rrezik të zhdukjes jo vetëm në nivel të familjes, por edhe në nivel të popullatës gjuhësore si një e tërë.

Sot, me rritjen e emigracionit dhe shtimin e shkollave internacionale kudo në botë, bindshëm është rritur edhe numri i fëmijëve të cilët mësojnë një gjuhë të dytë. Studimet sjellin fakte se përvetësimi i sistemit gjuhësor në gjuhën amtare, ndikon në zhvillimin e aftësive të tjera në raport me gjuhën e dytë. Kur fëmijët zhvillojnë gjuhën e tyre amtare, në të njëjtën kohë ata kultivojnë një mori të tërë të aftësive të tjera thelbësore, siç janë aftësia për të menduarit kritik dhe shkrim-leximi.

Hulumtimet tregojnë se çdo aftësi që ata zhvillojnë në gjuhën amtare, çdo koncept i mësuar, transmetohet më lehtë në gjuhën e dytë që ata mësojnë.

Për shembull, nëse një fëmijë ka zhvilluar aftësinë për të gjetur kuptimin e një fjale në një kontekst të caktuar, ose për të kapur kuptimin duke lexuar midis rreshtash, këto aftësi transferohen lehtësisht në gjuhën e dytë që ai mëson. Në anën tjetër, është mëse e vështirë që këto aftësi abstrakte të mësohet direkt në gjuhën e dytë.

Është gjithashtu i njohur fakti se një bazë e fortë e gjuhës amtare i pajis fëmijët me aftësitë që u nevojiten për të mësuar gjuhë të tjera, duke u lejuar atyre të transferojnë kuptimin e koncepteve dhe të strukturës së gjuhës në disa gjuhë të reja. Kështu, kuptimi intuitiv i gramatikës që zhvillohet kur fëmijët mësojnë gjuhën e tyre të parë, mund të kalohet lehtësisht në gjuhë të tjera. Gjuha amtare gjithashtu luan një rol të madh në zhvillimin e identitetit personal, shoqëror dhe kulturor.

Fëmijët me një bazë të fortë në gjuhën e tyre amtare, shpesh shfaqin një kuptim më të thellë të vetes dhe të vendit të tyre brenda shoqërisë, së bashku me një ndjenjë më të mirë të mirëqenies dhe besimit.

Është shumë e rëndësishme që fëmijët të kenë përvetësuar gjuhën e tyre amtare, në mënyrë që të ndërtojnë proceset njohëse të përshtatshme për moshën. Mësuesit, prindërit dhe familjarët luajnë një rol shumë të madh në ruajtjen e gjuhës amtare.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE