(2LONLINE) – Sot rreth orës 09:20 minuta në rrugën Gjilan-Preshevë përballë fshatit Velekincë të Gjilanit ka ndodhur një aksident rrugor me pasoja fatale, për rrjedhojë kanë humbur jeten dy persona vozitësi dhe bashkudhëtari i tij që ishin duke lëvizur me automjetin Nissan Patrol me targa vendore.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se, deri te aksidenti besohet të ketë ardhur si pasoj e humbjes se kontrollit në drejtimin e automjetit nga ana e drejtuesit të automjetit Nissan Patrol në një kthese në të djathtë duke kaluar në shiritin e kundërt të lëvizjes ku përplaset në automjetin transportues të markës Mercedes me targa të Maqedonisë.
“Si pasojë e kësaj përplasje shoferi Xh. C. 1959 dhe pasagjeri M. C. 1952 që të dy banues në fshatin Llashticë Komuna Gjilan nga plagët e marra në aksident ndërrojnë jetë. Me urdhër te prokurorit te shtetit i cili ka prezantuar në vendin e ngjarjes trupat e pa jetë dërgohen në IML në Prishtinë për obduksion. Në vendin e ngjarjes kanë ndihmuar përveç njësiteve policore ndihma e shpejtë dhe njësitet e zjarrfikësve”, ka thënë Hashani.
Me vendim të prokurorit të shtetit vozitësi i automjetit transportues N. M. 1967 ndalet për 48 orë në mbajtje në qendrën e ndalimit në Gjilan.
Rasti mbetet nën hetime nga Njësitet e trafikut rajonal në Gjilan. /2lonline/