Iku edhe xhiroja e gjashtë e Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll dhe qyteti i Gjilanit, ndonëse aktualisht është pa stadium kryesor (duelet zhvillohen në stadiumin ndihmës me bari sintetik), megjithatë ky qytet i ka dy skuadra të futbollit që për momentin kanë pushtuar kreun e tabelës, duke mbërthyer pozitën e parë dhe të dytë.
SC Gjilani dhe FC Drita, aktualisht janë të vetmet skuadra që nuk e kanë “shijuar” të hidhëtin e humbjes, ndërsa me pikët e fituara nga fitoret a barazimet, mbajnë pozitën e parë, përkatësisht të dytë.
Në fakt, Gjilani që është i pari i ka të zhvilluara të gjitha këto gjashtë xhiro, Drita ka një lojë më pak, e Ballkani që i ndjek pas, ka vetëm katër lojë të zhvilluara. Sidoqoftë, për momentin, janë skuadrat gjilanase , SC Gjilani e FC Drita që po i prijnë valles, duke paralajmëruar kështu se, edhe në këtë edicion, janë ndër pretendentët kryesor që do të synojnë titullin e kampionit, edhe pse, natyrisht se ka shumë lojë për t’u zhvilluar deri në fund.
Gjithsesi, skuadrat gjilanase po tregojnë se janë ekipe që me të drejtë po dalin në Evropë dhe natyrisht se synim i këtyre klubeve është të vazhdohet ky sukses.
E kur jemi te xhiroja e gjashtë, të dyja klubet gjilanase, i zhvilluan ndeshjet sot, ku SC Gjilani barazoi si vendës me Prishtinën e Drita si mysafire e mundi Ballkanin.
Gjilani që luajti si vendës, ndonëse avancoi, nuk mundi t’i ndal kësaj here të tria pikët për vete, pasi Prishtina arriti ta barazojë rezultatin dhe ta shkëpusë një pikë.
Gjilani avancoi me golin e Elton Cale, në minutën e 40-të, derisa për mysafirët shënoi Kreshnik Uka, nga penalltia, në minutën e 67-të.
Pavarësisht këtij barazimi, SC Gjilani vazhdon të jetë në krye të tabelës me 14 pikë të grumbulluara nga 4 fitore e 2 barazime.
Në anën tjetër, në një kryendeshje të kësaj xhiroje, e rëndësishme ishte fitorja e Dritës ndaj Ballkanit, kampionit në fuqi, e që me sukses po paraqitet edhe në Ligën e Konferencës, tani më në fazën e grupeve.
Ky ballafaqim i këtyre dy skuadrave u luajt në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas dhe u mbyll me fitoren e bardhekaltërve gjilanas me rezultat 2:0.
Golat për FC Drita i shënuan, Marko Simonovski, në minutën e 31-të dhe Besnik Krasniqi, në minutën e 59-të, nga penalltia.
Drita e cila, tani për tani, radhitet e dyta, ka 11 pikë nga pesë xhiro (ndeshjen e xhiros së tretë me Prishtinë nuk e ka zhvilluar akoma), pikë këto të ardhura nga 3 fitore e 2 barazime. /M.H/2LONLINE/