Duke iu referuar vetë medias kroate, e cila ka përzgjedhur formacionin më të mirë të sezonit në “1. HNL”, ju konfirmojmë se nga 11 emrat e këtij top-formacioni, dy prej tyre janë shqiptarë, pjesë e kombëtares kuqezi.
Më konkretisht, fjala është për mbrojtësin Ardian Ismajli dhe sulmuesin Myrto Uzuni.
Top-formacioni i sezonit në Kroaci: Kristijan Kahlina (26) – Luka Hujber (19), Ardian Ismajli (22), Zvonimir Šarlija (22), Domagoj Bradarić (19)- Darko Nejašmić (20), Ivan Lepinjica (19) – Serder Serderov (25), Myrto Uzuni (23), Kristijan Lovrić (23)- Cherif Ndiaye (23).
Gjatë 36 javëve të këtij kampionati, të dy kuqezinjtë tanë treguan potencialin e madh me klubet e tyre. Në përfshirjen e lojtarëve në këtë top-formacion, sipas modulit 4-2-3-1, i cili është më popullori në futbollin europian, por edhe në mesin e trajnerëve kroatë, janë marrë parasysh disa aspekte.
Ndër to ka vlejtur shpallja disa herë e secilit si “lojtari më i mirë i javës”. Vlerësimet për dy futbollistët shqiptarë janë këto:
Ardian Ismajli (22 vjeç) – “Luan në Kroaci që nga viti 2016, por vetëm këtë sezon ka shkëlqyer, edhe duke shënuar. Përpara këtij sezoni, ai luajti kryesisht për ekipin e dytë të Splitit. Me potencialin e tij ishte intrigues për të dy trajnerët atje, Kopic dhe Carilla, por nuk pati shanse aktivizimi në vazhdimësi.
Myrto Uzuni (23 vjeç) – “Për këtë lojtar ofensiv, Lokomotiva ka paguar një shumë prej gati 350 mijë euro. Ai erdhi nga Superliga e Shqipërisë, nga Laçi. Ai bashkëpunon në mënyrë ideale me Dejan Radonjiq, i cili në këtë simbiotikë shërben si “pykë”, ndërsa shqiptari vjen si sulmues i dytë. Paraqitjet e shkëlqyera me Lokomotiv u shoqëruan nga ftesa e kombëtares shqiptare.