Krahasoni dy raste në IRJM (Slavomaqedoni), njëri në Kumanovë, ku disa djem të armatosur, në një shtëpi private, luftojnë me milicinë e shtetit dhe tjetri në Shkup, ku një turmë agresive dhe e drejtuar politikisht, shpërthen parlamentin e shtetit, demolon brendinë e tij dhe i rrahë për vdekje deputetët e republikës.
Arsim KASTRATI
Shqiptarët e rastit të Kumanovës dënohen me dënime maksimale, ndërsa për sllavomaqedonët e rastit të Shkupit nuk kam dëgjuar se e kanë mërzitur shumë gjyqësinë dhe shtetin e IRJM-së!
Tash paramendoni sikur të burgosurit e Kumanovës ta kishin sulmuar Parlamentin në Shkup në vend të rezistencës së armatosur në lagjen fatkeqe kumanovare!
Mbase po të luhej Kumanova në Shkup bazuar në urrejtjen patologjike sllavomaqedone ndaj shqiptarëve, djemët e Kumanovës mundet që edhe do ti rrjepnin për së gjalli!
Tani albanofobia në IRJM është realitet kokëfortë dhe lidhur me te imponohen dy pyetje: a frikësohen bartësit e albanofobisë nga pasojat e urrejtjes që e shfaqin gjithkund e me çdo rast, dhe a dallon qeveria e Zaevit nga e mëparshmja e Gruevskit sa i përket mardhënieve ndëretnike?
Nëse shovenët sllavomaqedon nuk frikësohen aspak prej pasojave të albanofobisë së tyre të shfrenuar a është kjo për shkak të dobësisë së faktorit shqiptar në IRJM?
Me këtë rast do të themi se shqiptarët jo vetëm në IRJM por edhe në Kosovë dhe në Shqipëri po vuajnë bukur shumë për shkak të korrupsionit të lartë të elitave të tyre politike dhe për shkak të fenomenit të çarjeve identitetare nacionale më pak ndërsa fetare më shumë e që janë edhe reflektim i lëvizjeve gjeopolitike rajonale dhe botërore.
Të dyja këto dukuri stagnuese po i shfrytëzojnë: serbët, grekët dhe sllavomaqedonasit të trimëruar dhe të paraprirë nga aleati i tyre historik Rusia duke i shtuar problemet e popullit Shqiptar në Ballkan.
Thjeshtë po të ndalej korrupsioni që po na e zë frymën dhe po të jemi unik rreth interesit nacional duke mos u bërë argat të ideologjive dhe agjendave të dyshimta hallet tona do të zvogëloheshin dukshëm, do të bëheshim dëshmitarë të përparimit tonë dhe gjykatat e huaja do të na dënonin më me humanitet atëherë kur e meritojmë se edhe ne engjëj nuk jemi, sigurisht!