Shkruan: Arsim Kastrati
Dy probleme ekzistenciale i ka Kosova dhe të dyja lidhen me Amerikën. Njëri ka të bëjë me mungesën e energjisë e tjetri me dialogun me Serbinë. Shteti që nuk ka energji e ka të vështirë mbijetesën e ne jemi një shtet i tillë.
Tri herë më duket i kemi refuzuar projektet amerikane për prodhim të energjisë.
Një herë e kemi refuzuar Uesli Klarkun në lidhje me një projekt për prodhimin e gazit të lëngshëm nga linjiti, pastaj termocentralin e Contour Global-it dhe tash së fundmi edhe projektin transnacional amerikan për furnizimin e Ballkanit dhe Europës me gaz.
Pra, tri herë i kemi rrefuzuar krijuesit dhe mbajtësit politik të shtetit tonë, në lidhje me krijimin e resurseve energjetike të vendit dhe për këtë fajtorë janë, të gjithë politikbërësit e Republikës së Kosovës prej 2008-tës e këndej, të gjithë pa dallim, pa marr parasysh a ishin apo janë pozitë apo opozitë!
Dhe si kualifikohen këta politikanë, që e kanë lënë dhe po e lënë vendin e tyre dhe tonin pa energji, pa fuqi, të varur e të varfër?!
Edhe problemi tjetër që e ka Kosova, ai me Serbinë, e implikon fuqishëm Amerikën, pa ndërhyrjen e së cilës, për ne nuk mund të ketë ndonjë zgjidhje të pranueshme.
Gabojmë rëndë nëse mendojmë se bota do të na lërë të patrazuar në status quo. Zhvillimet e fuqishme gjeopolitike, në Lindjen e mesme, në kufijtë lindor të Europës dhe në rajon – në Bosnje e Mal të Zi, do të na marrin me vete e do të na qojnë drejt përfundimeve të pafavorshme, nëse eventualisht do të jemi në mospajtim me Amerikën.
Nëse ajo na thotë që ti përmbushim obligimet që na takojnë sipas marrëveshjes së Ahtisarit dhe sipas kushtetutës sonë, atëherë ne duhet ti kryejmë ato punë. Normalisht, pa krijuar instanca juridike të cilat do ta bllokonin vendin tonë sikurse është bllokuar Bosnje e Hercegovina, që tani është në rrezik të madh për dezintegrim dhe zhdukje.
Ti bëjmë gjërat që mund ti bëjmë, pa e penguar të tashmen dhe të ardhmen e funksionimit dhe të integritetit të shtetit, në mënyrë që pastaj të mund të themi jo aty ku duhet me patjetër e ti ndalim zhvillimet e padëshirueshme për vendin tonë. Madje dhe pse jo edhe nxemset elektrike që ngrohin rrugët e veriut të vendit, me djersën dhe mundin tonë. /2LONLINE/