Dy emra një ideal i bashkoi deri në flijimin biblik. Ishte mbrëmje e 11 janarit të vitit 1984, kur Kosova më shumë se kurrë përballej me ekzistencën e saj.
Nga: Izmi Zeka
Dy figura që tani i përkasin historisë Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, dy ideologët dhe vazhduesit e denjë të rrugës së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës u përballën me forcat policore të shtetit barbar serb.
Atë natë të 11 janarit krismat nuk kishin të ndalur. Dy emra që i dhanë kuptimësinë luftës për çlirim kombëtar dhe frymëzues të gjeneratave të ardhshme deri te formimi I ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës.
Ata ishin dy në luftë kundër okupimit klasik serb dhe jo vetëm kaq por ideja e tyre ishte përtej kohës dhe rezonit që mbretëronte aso kohe. Rexha e Nuhiu sikur Vojo Kushi në Tiranë e Perlat Rexhepi në Shkodër thyen mitin e një shteti të huaj e barbar siç ishte Serbia.
Aty u luftua deri në mëngjesin e 12 janarit dhe trimat nuk u dorëzuan. Mëngjesi i kësaj dite i gjen dy viganët të kthyer në histori, në jetë, në liri e çka jo, ata bënë çka nuk bëhet dhe nuk arrihet!
Ata kthyen dinjitetin dhe i dhanë frymë luftës për çlirim kombëtar. Andaj ata ishin dy në një apo një në dy emra. Kjo është historia dhe vet jeta e tyre.