Në prag të duelit kthyes në UEFA Conference League përballë ekipit Progres Niederkorn nga Luksemburgu, kanë folur para mediave kryetrajneri i SC Gjilani, Klodian Duro dhe futbollisti Arbnor Ramadani, duke dhënë impresionet e tyre.
“Luajmë sërish përballë një kundërshtari të respektuar për të cilin flet vet historia në garat evropiane. Sigurisht kemi për të bërë akoma pasi vetëm gjysma e punës është kryer. Është një kundërshtar që kërkon respekt, por nuk kemi frikë”, ka thënë krytrajneri Duro.
Ai shtoi se kanë disa futbollistë të cilët nuk do jenë të gatshëm për këtë sfidë, por se skuadra do të hyjë e bindur dhe e përqendruar.
“Kemi planin tonë dhe duke qenë të koncentruar nga ajo që kërkojmë, besoj se duke dhënë shpirtin dhe zemrën në fushë, do të kemi paraqitje dinjitoze. Kërkojmë mbështetjen e tifozëve, pasi që këto sfida duhet kaluar të gjithë së bashku dhe nesër presim tifozët tanë në shkallët e stadiumit”, ka thënë kryetrajneri i skuadrës gjilanase, Klodian Duro.
Ndërsa, futbollisti Arbnor Ramadani, ka thënë se shpresojnë ta kenë përkrahjen e të gjithëve, sidomos “Skifterave
“ Do të jetë ndeshje e vështirë. Besoj se do të hyjmë në fushë duke dhënë maksimumin”, ka thënë Ramadani. /2LONLINE/