/2L ONLINE/ – “Duke çmuar mësuesit përmirësojmë statusin e tyre”, ishte tema e Konferencës tematike e organizuar nga S.B.A.SH.K.-u e cila u mbajt në kuadër të kremtimit të Ditës botërore të Mësuesve. Si çdo Konferencë edhe kjo filloi mbarë e mirë ,me fjalë përshëndetëse duke filluar nga kryetari i S.B.A.SH.K.-ut Rrahman Jashari e panelistë të tjerë. Ajo e cila më ra në sy ishte se nuk pashë së paku një mysafir të vetëm nga ndonjë vend tjetër që së paku të dëgjojmë më për së afërmi ku janë ata e ku jemi ne me arsimin. Po, nejse këtë punë e di organizatori (S.B.A.SH.K.)edhe pse ne të gjithë prisnim një të tillë.
Siç thotë një fjalë e urtë popullore:”siç është vendi bëhet kuvendi”,edhe në këtë Konferencë të gjithë panelistët ishin të kujdesshëm në fjalimet e tyre duke e ngritur veten,çuditërisht edhe S.B.A.SH.K.-un në qiell për veprimet që po i bëjnë.
Kryetari i S.B.A.SH.K.-ut z. Jashari shfrytëzoi rastin që të bëhet një fushatë lobimi nga 174 Sindikata Botërore të votojnë për pranimin e S.B.A.SH.K.-ut në Internacionalen Botërore Sindikale.
Secili panelist në mënyrën e vet u munduan të japin një kronologji të rëndësisë dhe rolit të mësimdhënësit dhe asnjëri nga ta nuk harronte që në fjalimet e tyre lavdërime të marrin edhe për vete sepse siç thoshin ,me përpjekjet e tyre kanë arritur që mësuesi të merr statusin e veçantë në shoqëri.
Pas fjalimit të z. Jasharit, fjalimi tjetër me rëndësi ishte ai i Ministrit të Arsimit z. Arsim Bajrami cili me një delikatesë përshëndeti të pranishmit,uroj Ditën botërore të Mësuesve,na lavdëroj për punën që po bëjmë,nuk na dha asnjë kritikë të vetme,preku çështjen mjaft të diskutueshme të gjithë atyre punonjësve arsimor që punuan gjatë viteve ’90-99-ta duke ua dhënë epitetin hyjnor për ta. Është normale që pastaj dhe u duartrokit.
Panelistët vinin radhazi për të thënë atë që kishin përgatitur por brumi i gjithë bisedës së tyre ishte i njëjtë,ndryshonte vetëm stili i të shprehurit për të qenë sa më bindës karshi nesh. Dikush përmendtte ligjet e arsimit,premtonin përmirësime të vazhdueshme duke ofruar kushte sa më të mira në arsim. Sipas tyre Shteti duhet të ndërtohet sipas cilësisë në arsim dhe nëse nuk kemi sistem ligjor brenda vetes, sistemi ligjor si sistem do të ishte i pa mjaftueshëm.
U dhanë e u thanë shumë premtime por ajo që për mua ishte “vula “e gjithë kësaj Konference, ishte kërkesa e S.B.A.SH.K.-ut që ajo të anëtarësohet në UNESKO si dhe diskutimi i prof. Agim Hysenit një ndër themeluesit e kësaj organizate arsimore se si e shtjelloi në mënyrë problematike ecurinë e kësaj Organizate,të arriturat, ngecjet,veprat e mira dhe jo të mira të Shtetit tonë karshi Sindikatës sonë sepse mos anëtarësimi i S.B.A.SH.K.-ut në UNESKO është mos angazhimi i vet këtij Shtetit. Ai pati një thënie që duhet marrë në konsideratë se :”rreshti duhet lexuar gjer në fund.”për të kuptuar se çfarë duhet të nxjerrim nga ai rresht.
Të them të drejtën isha e vetëdijshme se isha në një Konferencë e cila kërkon fjalime të matura,diskutime serioze,fjalë senzibilizuese karshi opinionit,por nuk e di pse më kujtoheshin përnjëherë duke dëgjuar secilin panelist edhe me fjalime po thuajse të njëjta ne situata tjera për të njëjtin segment,pra për arsimin dhe sinqerisht të them më vinte një buzëqeshje e lehtë ironike kur i dëgjoja.
Nejse, sot u lavdëruam sepse ashtu e deshi “Kuvendi”,të shohim nesër se çdo t’na thonë! /2L ONLINE/
Arbëresha Aliu – SH.f.”Abaz Ajeti” Gjilan