/2L ONLINE/ – Nuk më pëlqen të jem aspak pjesë e këtij shkrimi por, jo gjithmonë i bëjmë gjërat ashtu siç duhet. Po përfolmi për një arsimim jo të mirë në vendin tonë si shkas i testimit të “PISA”-s. Dhe tash ajo që është mjaft brengosëse por edhe trishtuese është se po fajësojmë si individ e jo si tërësi kolektive. Çdo kush që ka moshën për t’u arsimuar, ne që e udhëheqim arsimin, njerëzit që i vunë ligjet e që nuk i zbatojnë fare, duhet të marrin përgjegjësi për këtë rezultat.
MASHT-I mos të na flet se gjëja ky rezultat doli i pa pritur dhe i befasuar për ta sepse ata janë institucioni që drejtpërdrejt janë të lidhur me arsimin. Nxjerrin rregulla,krijojnë projekte, bëjnë teste nga më të ndryshmet e vetë qëndrojnë larg gjithë këtyre veprimeve duke menduar se janë një “imazh”i pa prekshëm.
Ata e dinë më së miri se ky vend i bekuar sa është duke prodhuar analfabet klasik të llojit të vet. Ata e dinë se në këtë vend kemi shtresa të familjeve nga më të ndryshmet ; ata të cilët rropaten së bashku me fëmijët e tyre t’i krijojnë vlera vetvetes dhe shoqërisë dhe si shpërblim “mirënjohje” ta kenë dijen e jo një copë letre,por ka edhe nga ata prindër që pavarësisht angazhimit të fëmijëve të tyre,i kërkojnë pesëshet.
Ministria e Arsimit e di shumë mirë që kot kanë diplomuar psikologët,ata nuk i kemi nëpër shkollat tona edhe pse kemi nevojë për ta në këtë kohë ku teknologjia e ka bërë të veten e në një vend nuk kemi kafshatën e bukës. Një kontradiktë mizore ku dhe fëmija duhet ta bartë peshën e mjerimit social, andaj ai ka nevojë për mbështetje të ngrohtë njerëzore për t’i dhënë vullnet e kurajë në mësime.
Nuk besoj se testi PISA është “tragjikja “ e fëmijëve tanë, testi PISA”duhet të jetë “tragjikja”e jonë duke filluar që nga prindërit, të gjithë ne mësimdhënës dhe ju Ministri e Shtet i dashur.
Gjersa ju si Shtet në vorbullën e juaj mbani njerëz që nuk dinë të shkruajnë dhe të lexojnë pa bërë gabime, u jepni poste të rëndësishme dhe lejoni të diplomohen brenda natës duke qenë të vetëdijshëm për rezultatet e tyre, çfarë po prisni nga fëmijët e një gjenerate të këtillë.
As ne mësimdhënësit nuk jemi më pak fajtor,sepse me hir apo pa hir duhet t’i mbyllim sytë në mos punën tonë. Aq shumë i ka futur rrënjët sistemi politik në shkollat tona dhe është shumë e vërtetë se ka pak gjasa ta largojmë.
Kur një vend kultivon Romantizmin për interesa personale e nuk i pëlqen të merret me Realizmin, gjithmonë do të kemi PISA si rezultat i një forme të përgjithshme në arsimin tonë. Gjersa mundohemi të bëjmë lojë me fajin dhe gabimin duke e çuar nga një vend në tjetrin,asnjëherë nuk do të bëhemi të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm se sa jemi duke u fundosur në vazhdimësinë e gabimeve tona. Ky është Romantizmi ynë sepse kështu e krijuam dhe e deshëm ne vetë.
Zbatoni ligjet për të gjithë njëjtë, testi PISA le të jetë një ndëshkim i “mirëseardhur” për t’i hapur sytë në veprimet e më tejshme. Boll i dhamë vendit tonë analfabet jo të shkrim leximit por të dijes dhe të punës.
Punë të mbarë të gjithë atyre që kontributi i tyre po i jep vlera, dashuri dhe zgjuarsi këtij vendi më të mrekullueshëm në botë./2L ONLINE/
Arbëresha Aliu
Sh.m.u.”Abaz Ajeti” Gjilan