Nënkryetari i Komunës së Kamenicës, Faton Jakupi së bashku me Drejtorin e Drejtorisë për Shërbime Publike, Ambient dhe Inspektorat, Ramadan Basha, Udhëheqësin e sektorit për mbeturina, Hysen Jerliu, dhe zyrtaren Mergime Morina, kanë takuar Këshillin lokal dhe banorët e lagjes Çamëria në Kamenicë, për të diskutuar për furnizimin me ujë për këtë lagje.
Nënkryetari Faton Jakupi në këtë takim ka thënë se janë duke hulumtuar që sa më parë të gjenden burime që kjo lagje të mos ketë më problem me furnizim me ujë.
Drejtori Ramadan Basha u tha banorëve se ekipet janë në teren për të sanuar defektet që ka pasur ujësjellësit.
“Në lagjen tuaj tani e kemi vendosur një cisternë për ujë për sanitari. Po ashtu ekipet janë në teren dhe kanë rregulluar defektin, si dhe janë duke bërë pastrimin e puseve. Jemi duke punuar në gjetjen e burimeve të ujit që të rregullohet ky problem përgjithmonë”, tha ai.
Ndër të tjera Drejtoria për Shërbime Publike, Ambient dhe Inspektorat u bën thirrje të gjithë banorëve të lagjes Çamëria që të mos e përdorin ujin për pije, por vetëm për nevoja sanitare, deri në një njoftim të ardhshëm.