Superliga e Kosoves ka shënuar rritje në klasifikimin e përgjithshëm të UEFA-s, falë paraqitjeve të sukseshme të kampionit të saj këtë vit, Dritës. Kosova tashmë renditet në pozitën e 48-të të kampioneve në Evropë dhe nga edicioni i radhës klubet kosovare do të luajnë direkt në fazën kualifikuese.
Kosova ka lënë prapa kampionatet e Gjibraltarit, Malit të Zi, Uellsit dhe Islandës, kurse Drita FC ka bërë progres për 90 vende në ranklistën e UEFA-s për klubet evropiane, pozitë kjo më e larta ndonjëherë e klubeve kosovare .
Pikët e fituara nga Drita në Ligën e Evropës, pas kualifikimit në fazën e tretë të garave, si dhe kalimi i turit parakulifikues i Gjilanit, po ashtu në Ligën e Evropës ka bërë që Kosova të ngritet për katër pozita.
Kurse, këtë vit edhe SC Gjilani është futur në listën e klubeve me koeficient në Evropë, FC Prishtina ka zbritur për disa pozita, teksa Feronikeli dhe Trepça ’89 kanë mbetur aty ku ishin edhe në ranklistën e kaluar.