Fc. Drita udhëton sot për fazën përgatitore në Ohër të Maqedonisë. Skuadra bardhë e kaltër po vazhdon me përgatitjet intensive për stinorin e ri pranveror në Vala Superligën e Kosovës.
Drejtori Sportiv, Fisnik Kërçeli, konfirmoi për Portalin 2LONLINE, se në Ohër do të qëndrojnë dhjetë ditë.
“Do të vazhdojmë përgatitjet në Ohër ku do të qëndrojmë 10 ditë. Atmosfera në klub është shumë e mirë dhe synimet i kemi të qarta. Është një motiv i lojtarëve, trajnerit dhe gjithë stafit, prandaj do të luftojmë deri në fund për të dyja trofetë”, ka thënë Kërçeli.
Fisnik Kërçeli, theksoi se në këtë fazë, Drita do të zhvillojë tri ndeshje kontrolluese miqësore dhe një tashmë është konfirmuar.
‘Do të zhvillojmë ndeshje miqësore dhe e fillojmë me klubin nga Struga të shtunën më 27 janar me fillim nga ora 13:30. Jemi në diskutime edhe për dy ndeshje të tjera miqësore në Maqedoni dhe do t’i bëjmë publike gjatë javës’, ka potencuar ai.
Drejtori Sportiv, Fisnik Kërçeli, gjithashtu shtoi se deri më tani, Drita ka zhvilluar seanca stërvitore fal edhe kushteve të favorshme atmosferike.
Fc.Drita sezonin vjeshtor e përfundoi në pozitën e 3-të me 30 pikë, 4 më pak se lideri Fc.Llapi dhe dy më pak se pozita e dytë, Prishtina me 32 sosh.
Drita, është kualifikuar edhe në rrethin e katërt të garave për Kupën e Kosovës dhe në këtë fazë do të përballet me Istogun.
/Elife Sherifi/