Kf.Drita ka triumfuar në ndeshjen derbi të kësaj jave, duke mposhtur Kf.Llapi si mysafire me rezultat 0:1. Trajneri i Dritës, Bekim Isufi, është shprehur i kënaqur me fitoren në udhëtim te Llapi, duke theksuar se futbolli luhet për tifozë dhe fitorja u takon “Intelektualëve”.
“Fitore e rëndësishme dhe e merituar, kundër një rivali të fortë. “Lojtarët tanë e dhanë maksimumin dhe me sukses i mbuluam individët e dalluar te Llapi siç janë Zhdrella e Daku. Ne punojmë për t’i gëzuar tifozët dhe nuk ka ndjenjë më të mirë se sa kur i sheh të gëzuar këta përkrahës tanë, të cilët edhe në këto kushte të vështira kanë ardhur nga Gjilani në Podujevë“, është shprehur Isufi.
Përballja ishte e shoqëruar me sulme, kundërsulme, raste shënimi, presion, por edhe tension në fushë dhe në tribina.
Në minutën e 10-të futbollistët Mirlind Daku i Kf.Llapit dhe Kastriot Rexha i Dritës u konfrontohen brenda zonës, por gjithçka u qetësua pas disa minutave.
Ishin mysafirët që rrezikuan të parën me anë të Liridon Lecit e Astrit Fazliut, por asnjëri nuk ishte i saktë për ta kaluar Dritën në epërsi në fillim të takimit.
Loja u ndërpre sërish në min e 25-të, kësaj radhe nga mjetet piro-teknike dhe atmosfera fantastike e krijuar nga Intelektualët në Podujevë.
Deri në fund të pjesës së parë edhe Kf.Llapi rrezikoi përmes Edon Zeqirit e Altin Merlakut, por portën e shpëtoi gardiani i Dritës. Pa gola përfundoi pjesa e parë.
Pjesa e dytë filloi furishëm nga mysafirët, të cilët shënuan golin e epërsisë në min e 49-të me anë të Xhevdet Shabanit, i cili realizoi super gol nga distanca.
Deri në fund të takimit pati raste nga të dyja palët, gjersa Liridon Leci goditi për gol të sigurt, ku portieri i Llapit në momentin e fundit largon topin nga vija fatale.
Në minutën e 81-të përsëri pati një ndërprerje të lojës, kjo për shkak të tensioneve të krijuara ndërmjet dy tifozërive. Kjo kaloi shpejt me intervenimin e policisë, me ç’rast u arrestuan disa tifozë.
Ndeshja vazhdoi edhe për 10 minuta shtesë, të cilat u dhanë për shkak të ndërprerjeve.
Me rezultat 0 me 1, Drita arrin të sigurojë edhe tri pikë të tjera nga udhëtimi në Podujevë, ku edhe barazohet me Prishtinën me nga 36 sosh.
Me këtë rast, Drita ka marrë kreun e tabelës së Vala Supërligës së Kosovës në futboll, pas xhiros së 20-të.
/Elife Sherifi/