Klubi i futbollit Drita i ka shfrytëzuar si është më së miri, humbjet e djeshme të Ballkanit, si lider dhe Llapit, i pozicionuar i dyti, pasi ka shënuar sot fitore dhe iu është afruar me pikë fare afër këtyre dy skuadrave, duke u rikthyer kështu në garë për titullin e kampionit.
Drita ka shënuar sot fitore minimale, por të vlefshme, në ballafaqim me Feronikelin 74, duke e mundur me rezultat 1 :0, me golin e shënuar nga Raddy Ovouka, në minutën e 80-të të takimit.
Tani, skuadra bardh e kaltër që drejtohet nga Zekirija Ramadani, vazhdon të mbajë pozitën e tretë në tabelë, por tani me 49 pikë, një më pak se Llapi dhe dy më pak se lideri, Ballkani.
E rëndësishme është të përmendet edhe fakti se në xhiron tjetër, luajnë pikërisht Ballkani – Llapi, një mundësi e Dritës për ta shfrytëzuar edhe këtë rast me fitore eventuale, edhe pse atë e pret një kryendeshje, pasi për kundërshtar do ta ketë rivalin lokal, Gjilanin.
Përndryshe, sot është zhvilluar edhe një ndeshje tjetër ku Prishtina ka realizuar fitore të thellë ndaj Dukagjinit, me rezultat 5:0. /2LONLINE/