(2L ONLINE) – Kryetrajneri i deritashëm i Dritës, Agron Selmani ka dhënë dorëheqje menjëherë pas humbjes ndaj Ferronikelit 3:1 në Gjilan. Selmani ka thënë se nuk ka të drejtë morale të bartë peshën në rrethanat që gjendet klubi.
Drita tashmë ka mbetur pa trajner. Kjo pasi ‘timonieri’ i deritashëm i skuadrës, Agron Selmani ka dhënë dorëheqje. Lajmin për Portalin ’2L ONLINE, e ka konfirmuar vetë Selmani, i cili ka thënë se arsyeja e largimit janë rezultatet e fundit të ekipit.
‘’Në këto rrethana kur mungojnë rezultatet dhe nisur nga ajo se ndërrimet shpeshherë sjellin rezultatet pozitive unë kam vendosur të dorëhiqem nga posti i kryetrajnerit, pasi nuk e kam të drejtën morale të bartë peshën e klubit’’, u shpreh Selmani.
Tekniku nga Ferizaj potencon segmentet me të cilat është pajtuar të bashkëpunojë me Dritën por edhe pse kishin nisur mirë në realizimin e objektivave të tyre gjërat nuk shkuan ashtu siç e kishin planifikuar.
‘’Fillimisht, kur kemi nisur bashkëpunimin me Dritën, jemi dakorduar në tri segmente: Të reformojmë ekipin me lojtarë të rinj, të luftojmë për mbijetesë dhe ti shfrytëzojmë mjetet financiare në mënyrë racionale duke e ditur se ato i kemi të kufizuara. Kampionatin e kemi filluar mirë por nuk e vazhduam me ritmin e duhur, publiku me të drejtë duke u nisur edhe nga dashuria ndaj klubit kërkon rezultate. Në këto rrethana unë si kryetrajner kam vendosur të largohem’’, potencoi Selmani.
Përkundër largimin nga skuadra Selmani beson në këndelljen e Dritës, dhe në fund ti shpëtojë më të keqes.
‘’Klubi në javët në vazhdim ka një orar mjaft të mirë deri në fund të sezonit, ka një grup të mirë të lojtarëve që meritojnë përkrahjen e tifozëve dhe ju sugjeroj sportdashësve gjilanas që mos të kursejnë në përkrahjen ndaj lojtarëve dhe të kenë durim me ta sepse koha e këtyre djelmoshave do të vije shumë shpejt. Drita do ketë kohë për mobilizim të forcohet edhe më shumë dhe ta arrijë qëllimin final, sigurimin e ekzistencës dhe në perspektivë rezultatet përmbajtjesore’’, përfundoi fjalët e fundit Agron Selmani lidhur me dorëheqjen e tij nga posti i kryetrajnerit të Dritës.
/Drilon SYLEJMANI/ 2L ONLINE/