SC Drita ka fituar ballafaqimin kundrejt SC Gjilanit, në derbin lokal që u luajt sot në stadiumin ndihmës të qytetit të Gjilanit. Goli i Baftiut dhe hat-trick-u i Simonovskit për Dritën dhe goli i nderit shënuar nga Zabërgja për Gjilanin, bënë që kjo lojë të mbyllet me rezultat të thellë, 4 me 1.
Kur jemi te fjala” derbi”, sikur asnjëherë më parë kjo fjalë nuk ka qenë më e zbehur se sot, për shumë faktorë, e ndër kryesorët, që nuk u luajt në stadiumin kryesor të qytetit, i cili nuk është funksional, e për rrjedhojë kjo ndeshje u luajt pa tifozë, bazuar në atë se stadiumin ndihmës nuk i plotëson kushtet edhe sa i përket hapësirës, edhe sa i përket sigurisë.
Për ironi, sot në Gjilan ishte ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, i cili u takua me të parin e Gjilanit, Alban Hyseni, e ku përveç deklarimit se kanë hyrë në fazën e zgjidhjes së ngërçit afatgjatë për stadiumin e Gjilanit, nuk kanë dhënë ndonjë datë të caktuar se kur mund përafërsisht të pritet përfundimi i stadiumit dhe zhvillimi lojërave në të.
Pra, se kur do të përfundoi së ndërtuari stadiumi i Gjilanit, që lojtarët të kthehen në fushë, e tifozët në tribuna, si duket mbetet mister, pasi këtë, për momentin nuk e dinë, as ministri, as kryetari, as pozita, as opozita, as klubet, as tifozët…,
Sido që të jetë, kur jemi te loja e sotme, kishim një Dritë që luajti mençur dhe që e kërkoi me ngulmë fitoren dhe një Gjilan të ngadalshëm dhe të “pa shpirt’. Drita e mbizotëroi plotësisht ndeshjen dhe sikur përfundoi punën qysh në pjesëlojën e parë kur krijoi epërsi prej tre golash, përmes Blend Baftiut që shënoi në minutën e 37’ si dhe Marko Simonovski, i saktë në minutat 45 dhe 45+7.
Pjesëloja e dytë solli nga një gol në të dyja rrjetet, ku fillimisht shënoi Simonovski, për ta kompletuar hat-trick-un e tij, gol që erdhi në minutën e 69’, dhe më pas erdhi edhe goli i vetëm i skuadrës kuqebardhë, një gol i nderit, që u shënua nga Baton Zabërgja në minutën e 80’.
Tani FC Drita, për momentin, i prin tabelës së klasifikimit në AlbiMall Superligën e Kosovës në futboll duke grumbulluar 14 pikë nga gjashtë ndeshje të zhvilluara, e po aq pikë ka Gjilanit, që rrëshqet në pozitën e dytë, por këto pikë i ka nga shtatë takime.
Janë pra dy skuadra të Gjilanit në krye të tabelës, andaj meritojnë që çështja e stadiumit të kryhet sa më parë dhe një derbi i radhës të jetë ashtu siç jemi mësuar ta shohim, jo veç si “derbi” por si “derbi i zjarrtë”, që luhet në një stadiumit cilësor dhe me tribuna të stërmbushura. /M.H/ 2LONLINE/