Dueli i javës së 24 i Ipko Superligës së Kosovës në futboll, mes Ferizajit dhe Dritës përfundoi me rezultat 1:2. Minutat shtesë të takimit ishin vendimtare.
Derisa pjesa e parë përfundoi në të mirë të vendasve, falë golit të Qëndrim Dautaj në minutën e 26’, loja ishte plot raste të tjera në fushë.
Kampioni në fuqi Drita tregohej herë pas here e rrezikshme dhe kërkonte golin, por portiere vendas Armend Blakqori ishte gjithmonë në vend. Ai mohoi golin e Endrit Krasniqit, Haxhi Nezirajt e Kyrian Nwabueze.
Mirëpo, pjesa e dytë solli ndryshime të menjëhershme nga mysafirët. Kjo pasi, Nwabueze i Dritës në minutën e 54’ të takimit gjuan me saktësi drejt portës dhe realizon për 1-1.
E gjithë pjesa e dytë u karakterizua nga mundësi të një pas njëshme dhe mysafirët e Dritës nuk e ndalnin presionin në kërkim të golit. Rastet i shpërdoruan Bujar Shaban, Xhevdet Shabani e Nwabueze.
Por, goli i fitores për Dritën erdhi në minutat shtesë të takimit, 90+ dhe për këtë u kujdes Xhevdet Shabani me një goditje nga largësia.
Drita forcon pozitën e 4 me 41 pikë, ndërsa Ferizajit me këtë humbje i vështirësohen punët për mbijetesë.