Derbi më i madh në Superligë, i rivalëve lokal, FC Drita – SC Gjilani, i ka takuar skuadrës bardh e kaltër.
Ishte ky takim i javës së 8-të të Superligës së Kosovës në futboll, ku dy skuadrat gjilanase u ballafaquan për epitetin e fituesit të derbit, dhe se këtë e arriti Drita, duke e regjistruar kështu fitoren e tretë radhazi dhe duke iu kthyer kështu rrugëtimit drejt pozitës së parë.
Skuadra e Dritës që po mbështetet nga “intelektualët” dhe po drejtohet nga trajneri Akis Vavalis, ia ka dal ta fitojë këtë derbi me rezultat 2 me 0. Nga një gol u shënua në secilën pjesë, nga Almir Ajzeraj (44’) dhe Ardit Tahiri (82’).
Me këtë fitore, FC Drita mbetet në pozitën e tretë në tabelën e klasifikimit me 15 pikë, një më pak se Llapi dhe 4 më pak se lideri, Ballkani, por që e ka edhe një takim më pak të zhvilluar, pikërisht me skuadrën në krye të tabelës.
Natyrisht, ky derbi ka kohë që po zbehet dhe nuk po e ka madhështinë që e kishte dikur, për faktin që nuk po luhet në praninë e mijëra tifozëve të të dyja palëve në qytetin e këtyre dy skuadrave. Për shkak të mungesës së stadiumit kryesor, derbi ose po luhet në stadiumin ndihmës me bari sintetik, ose në terrene tjera, siç ndodh edhe sot ku ky ballafaqim u zhvendos të luhej në Lipjan në stadiumin “Sami Kelmendi”.
Sidoqoftë, deri sa në stadiumin e Gjilanit nuk po luhet derbi i këtyre dy skuadrave, ndër më të mirat në Kosovës, e me stadium po luajnë politikanët (pa dallim), mbetet të shpresojmë e të pritet dita kur Gjilani do ta ketë të ndërtuar stadiumin e ri, që nga tribunat e saja të jehojnë zërat e tifozërive të këtyre dy klubeve.
Deri atëherë, futbolldashësit le të mësohen të krijojnë atmosferë nga stadiumet tjera, ata që do të jenë të pranishëm, e të tjerët, le të bëjnë tifo pran TV-ve të tyre.
Ndërkohë, kur jemi te java e 8-të e Superligës së Kosovës në futboll, sot është zhvilluar edhe një ndeshje tjetër e cila përfundoi me barazim. Dukagjini – Feronikeli 74’ ( 1- 1), derisa nesër luhet ndeshja Fushë Kosova – Prishtina. Kujtojmë, dje u zhvilluan ndeshjet tjera: Ballkani – Llapi 2-1, Liria – Malisheva 0 – 1. /2LONLINE/