/2L ONLINE/ – Gjykata Themelore në Gjilan ka vendosur sot t’ia vazhdojë masën e arrestit shtëpiak edhe për 30 ditë, të pandehurit Senad Ramaj. Këtë për Portalin 2LONLINE, e ka konfirmuar edhe Sabit Shkodra zyrtar për Informim në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Përndryshe, personi në fjalë në cilësinë e Drejtorit Ekzekutiv në ndërmarrjen “EcoHigjiena” në Gjilan, dyshohet se ka përpiluar dhe falsifikuar vendimin për formimin e komisionit për vlerësimin dhe shitjen e aseteve, të cilat asete janë shitur pa u vlerësuar dhe pa kurrfarë kriteri, ishte thënë në njoftimin e mëhershëm të gjykatës.
Ai dyshohet se ka kryer dy vepra penale: falsifikim i dokumentit zyrtar nga neni 434 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së. /2L ONLINE/