Sot, më 13.05.2022, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Samedin Mehmeti priti në takim ambasadorin e ShBA-ve në vendin tonë, z. Jeffrey M. Hovenier. Ishte ky një takim njohës, takimi i parë mes ambasadorit të ri të ShBA-ve në vendin tonë dhe drejtorit të përgjithshëm të PK-së.
Fillimisht, z. Mehmeti falënderoi ambasadorin Hovenier për vizitën e realizuar në Policinë e Kosovës dhe theksoi bashkëpunimin e vazhdueshëm mes Ambasadës së ShBA-ve me PK-në. Z. Mehmeti i dëshiroi punë të mbarë dhe suksese Ambasadorit në detyrën e tij si Shef i Misionit si dhe i falënderoi taksapaguesit e ShBA-ve për mbështetjen e palëkundur për Policinë e Kosovës.
Ambasadori amerikan z. Hovenier, falënderoi për pritjen e organizuar dhe potencoi se rendi dhe qetësia publike dhe sundimi i ligjit janë shumë të rëndësishme për funksionimin e demokracisë së një vendi. Ambasadori amerikan shprehu përkushtimin e tij për bashkëpunim dhe mbështetje të vazhdueshme me qëllim të avancimit dhe profesionalizmit të Policisë së Kosovës.
Në takim u diskutuan edhe tema konkrete me fokus në komunitetet pakicë, avancimin e shkathtësive në fusha operacionale, menaxhimin e ndryshimeve, unifikimin e policisë dhe rolin qenësor që Policia ka për të ardhmen e Kosovës. /2LONLINE/