Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Deklaratës së Partneritetit e cila u mbajt në Romë të Italisë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga Drejtori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, Nënkolonel Arben Paçarizi morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Deklaratës së Partneritetit në projektin @ON Network që u mbajt në Romë të Italisë në selinë e Drejtorisë së Hetimeve Antimafia.
Anëtarësimi i Policisë së Kosovës në rrjetin @On Network, që është projekt i Komisionit Evropian nën udhëheqjen e Policisë Italiane, u bë së bashku me Policinë e Finlandës, Qipros dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Ky projekt mundëson avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar duke ndërtuar rrjetin e bashkëpunimit dhe koordinimit policor në fushën e krimit të rëndë dhe të organizuar.
Pjesëmarrja e Policisë së Kosovës në këtë projekt është një tregues relevant për rolin aktiv të Policisë së Kosovës në fushën e luftimit të formave të kriminalitetit si një partner tashmë i besueshëm dhe efektiv në nivelin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor.
Po ashtu gjatë kësaj vizite Drejtori i Përgjithshëm u prit në takim nga Shkëlqesia e saj Ambasadorja znj. Lendita Haxhitasim me të cilën u diskutuan angazhimet e përbashkëta në thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë me shtetin Italian. /2LONLINE/