/2L ONLINE/ – Në vazhdën e vizitave nëpër shkollat e komunës së Vitisë, drejtori i Drejtorisë së Arsimit Qahil Sinani ka vizituar shkollën fillore “Nijazi Rexhepi” në Sllatinë të ulët, me që rast ka takuar edhe prindërit e nxënësve të këtij lokaliteti.
Ai me këtë rast është shprehur para prindërve se Institucionet komunale, respektivisht Drejtoria e Arsimit është e përkushtuar për përmirësimin e kushteve mësimore nëpër gjitha objektet shkollore dhe ofrimin e mundësive për tu zhvilluar mësim cilësor.
“Ne do të vazhdojmë të jemi sa më afër prindërve dhe takimet me ju janë shumë frytdhënëse për faktin se njihemi më për së afërmi me thelbin e problemit që ballafaqohen shkollat.
Po ashtu kemi një numër prej mbi 800 punëtorëve arsimor nën menaxhim dhe na duhet bashkëpunimi me këshillat e prindërve, në mënyrë që shkollat të jenë sa më funksionale dhe në shërbim të nxënësve”, ka thënë Sinani.
Ai me këtë rast i është përgjigjur edhe pyetjeve të qytetarëve të këtij lokaliteti, të cilët u interesuan me mundësit e komunës për të investuar në shkollën e fshatit, si në përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm, ngrohjen e objektit të shkollës, ndërtimin e tualeteve etj./2L ONLINE/