Drejtoresha ekzekutive e MCC-së, Alice Albright, ka qëndruar sot në Viti, për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të investimeve të agjencionit federal amerikan MCC në Komunën e Vitisë.
Fillimisht ajo u prit nga kryetari i komunës Sokol Haliti së bashku me përfaqësues e zyrtar të lartë komunal, si dhe nga qytetarë të shumtë që kishin dal për ta mirëpritur dhe përshëndetur atë.
Në një moment, ajo ndaloi para obeliskut të nënës së saj, konkretisht ish-sekretares amerikane të shtetit Madeleine Albright, para objektit të komunës së Vitisë, ku me plot emocion u shpreh falënderuese për Institucionet komunale dhe qytetarët e kësaj komune për këtë nderë që i kanë bërë asaj dhe familjes Albright, ku së bashku me kryetarin Haliti edhe vendosen kurora lulesh.
Më pas, ajo zhvilloi një takim me udhëheqësit komunal, ku u njoftua për zhvillimet aktuale, projektet e realizuara dhe punët që po kryhen në këtë komunë.
Ndërsa, zonja Albright e shoqëruar edhe nga drejtori i Fondacionit të Mileniumit të Kosovës, Petrit Selimi dhe drejtoreshën e MCC-së për Kosovë Sarah Olmstad, kanë vazhduar për në ceremoninë e inaugurimit të ndërtesave të renovuara në Viti, ku në tri ndërtesa banesore, kanë përfituar dhjetëra familje, me që rast në njërën nga to, është pilotuar edhe instalimi i paneleve solare dhe sistemi efiçient i ngrohjes dhe ftohjes.
Për kontributin dhe gjithë përkushtimin në investim të këtij projekti, znj. Alice Albright, u nderua me “Çelësin e Qytetit” të Vitisë, të cilin i’a dhuroi kryetari Haliti.
Në fjalën e saj, Albright tha se ndjehet shumë e nderuar me qëndrimin dhe vizitën që sot i bëri Vitisë.
“Jam tejet e gëzuar që sot po inaugurojmë projektin e MCC këtu në Viti. Që nga viti 2004, kur kemi filluar me projekte, kemi arrit të punojmë në mbi 43 vende të ndryshme të botës, nga ku kanë përfituar mbi 215 milion njerëz. Në Kosovë kemi nisur bashkëpunimin që nga viti 2017 dhe që për gjatë këtyre 5 viteve, kemi bërë një shtrirje të mirë. Vitia ishte njëra nga 6 komunat e përzgjedhura për të përfituar nga ky projekt, gjë për të cilën jeni angazhuar dhe me shumë përkushtim, keni arrit që të finalizoni suksesshëm”, ka thënë Albright.
Ajo më tej ka falënderuar Institucionet komunale të Vitisë dhe kryetarin Haliti, për gatishmërinë në bashkëfinancim me 30 % të projektit dhe gjithashtu falënderoi gjithë ato ekipe si nga MMC, MFK, por edhe ato komunale, për punën e palodhshme që ky projekt të konkretizohet ashtu siç është paraparë.
Në fjalën e tij, kryetari i komunës tha se është një ditë e veçantë që sot te kemi një mysafirë që është bërë pjesë e Vitisë dhe pjesë e Kosovës, me investimet që po i bënë në Kosovë.
“Zonja Albright, më lejoni të ju them se sot jemi krenarë që po i shohim rezultatet konkrete të këtij bashkëpunimi. Me dhjetëra familjarë sot kanë banesa të ngrohta dhe do të shpenzojnë më pak rrymë, ndërsa jemi të lumtur që ky model i bashkëpunimit në mes Komunave dhe Fondacionit të Mileniumit të Kosovës është përdorur në 6 komuna tjera. Vitia është qytet i transparencës dhe qeverisjes së mirë, qytet ku të gjitha etnitë po jetojnë e punojnë së bashku, po i ndajnë hallet dhe sukseset. Jemi edhe komunë fqinje e mirë, dhe si një komune kufitare ne bashkëpunojmë dhe korrim suksese edhe me fqinjët tanë përtej kufirit”, tha Haliti.
Ai më tej theksoi se MCC që nga viti 2014 kur filloi diskutimet e para për mbështetje Kosovës, pastaj në vitin 2017 kur e aprovoi grantin e Pragut prej 49 milionë dollar, e për të vazhduar më 2019 kur e aprovoi edhe grantin Compakt dhe deri më sot, na ka bërë dëshmitar të investimeve konkrete.
“Tashmë është bërë organizatë e njohur për të gjithë kosovarët me një metodologji pune që e dallon nga donatorët tjerë. MCC-ja e ka fuqizuar Fondacionin e Mileniumit dhe institucionet e Kosovës, që ta marrin përgjegjësinë për projektet në efiçencë energjetike, në përfshirje të grave në sektorin e energjisë, por edhe në qeveri transparente dhe qeverisje të mirë. Zonja Albright, ju jeni këtu në Viti si drejtore ekzekutive e MCC, e cila tashmë është bërë pjesë e Vitisë dhe pjesë e Kosovës. Shumë mësime nga investimet e juaja do t’iu shërbejnë qeverive lokale dhe atyre qendrore për planifikim më të mirë të investimeve dhe planeve strategjike për një zhvillim të qëndrueshëm. Komuna e Vitisë është lidere kosovare për projektet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe ne do të vazhdojmë të përdorim eksperiencën me MCC edhe në të ardhmen”, thënë kryetari Haliti.
Kurse, drejtori i Fondacionit të Mileniumit të Kosovës Petrit Selimi, ndër të tjerash bëri të ditur se nga projektet e MCC-së, kanë përfituar mbi 2000 familje në Kosovë. Ndërkaq duke folur për Vitinë, ai tha se kjo komunë është liderë e projekteve të MFK dhe MCC-së. /2LONLINE/