Këshilltari politik i kryeministri të Kosovës, Bekim Çollaku ka thënë se në takimin e sotëm në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq, do të diskutohet për çështjen e drejtësisë në veri.
Ai ka bërë të ditur se me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të BE-së për siguri dhe politikë të jashtme, Catherine Ashton, të dy kryeministrat do të bëjnë përpjekje për t’i shtyrë përpara temat në fushën e drejtësisë. “Drejtësia është çështje kyçe e këtij takimi. Pra, shpërbërja e strukturave ilegale në fushën e drejtësisë dhe integrimi i tyre në sistemin juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar për “Epokën e Re” Çollaku.