Ismajl KURTESHI
Faktet nuk pushojnë së ekzistuari, edhe pse injorohen.
Aldus Hakslej
(2LONLINE) – Për fenomenin e blerjes së votave gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit 2013 dyshojnë vetëm ata që i mbyllin sytë para fakteve. Publikisht para syve të qytetarëve, gazetarëve, prokurorëve e gjyqtarëve, pa lënë vend për dilema, zyrtarët komunal e qeveritarët, para e gjatë fushatës i shkelën rregullat e parapara me ligjin për zgjedhjet.
Para fillimit zyrtar të fushatës dhe gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, Kryeministri i vendit, bashkë me kandidatët për kryetarë nga partia e tij, ka shtruar me mijëra e mijëra dreka e darka, nga buxheti i shtetit, për punëtorët e arsimit, shëndetësisë, administratave komunale, si dhe nga shumë organizata të tjera, në të gjitha komunat që udhëhiqen nga partia e tij. Ashiqare janë shfrytëzuar automjete zyrtare, në të gjitha anët e Kosovës, nga zyrtarët qeveritar dhe komunal. Janë shpërnda pako sociale, dru, etj. Janë premtuar rritje të të ardhurave personale e investime qindra milionëshe. Por, edhe janë realizuar shumë projekte pa i respektuar procedurat e tenderimit, standardet e parapara të punëve etj.
Keqpërdorime të pozitave dhe të mjeteve publike kanë ndodhë edhe nga zyrtarët e komunave që janë udhëhequr nga subjektet tjera politike dhe nga kandidatët për kryetar të këtyre subjekteve edhe në komunat ku kanë qenë opozitë.
Më e pa zakonshmja e këtyre zgjedhjeve ishte lejimi, në fushatën zgjedhore, i politikanëve e strukturave të shtetit serb dhe që ndikoi, që në nëntë komuna me shumicë serbe, të zgjedhën kryetarë që janë të lidhur drejtpërdrejt me Serbinë dhe që nuk e pranojnë Shtetin e Kosovës, ashtu siç edhe deklaroi, kryetari i porsazgjedhur i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Pantiq.
Këto zgjedhje e kanë prodhuar edhe problemin e mos njohjes së Shtetit të Kosovës, nga një pjesë e institucioneve të legalizuara të vendit. Në secilin vend të botës, përveç Kosovës, nuk mundet të merret me mend që dikush të udhëheq institucionet, të cilat nuk i njeh.
Sa janë të papërgjegjshëm institucionet e shtetit dëshmon edhe alarmi i kandidatit të LDK-së, për kryetar të Komunës së Artanës, se ai po garon me strukturat e shtetit serb (MUP-it), e që megjithatë nuk nxiti reagim të Shtetit të Kosovës.
Fakti që 170 kandidatë për këshilltarë komunal, në këto zgjedhje, nuk kanë pas asnjë votë, ose rasti i vendvotimit nr. 422 në Cërrnicë, ku kanë votuar gjithsej 109 votues, kurse kandidatët e PDK-së i kanë pas 155 vota, ndërsa ata të LDK-së 101 vota, apo edhe nga rasti i vendvotimit në Bukovik, ku LDK-ë i ka pas gjithsej 55 vota, kurse vetëm një kandidati të këtij subjekti i janë shënuar 86 vota në këtë vendvotim, janë dëshmi për ekzistimin e parregullsive serioze në këto zgjedhje, të vlerësuara si zgjedhje shumë të mira.
Këto dhe fakte të tjera që kanë ndikuar në pengimin e shprehjes së vullnetit të lirë, përmes votës së lirë, të qytetarëve dhe presioni mbi një pjesë të votuesve, është dashur të pengohet nga politika, prokuroritë, policia dhe gjykatat për mbrojtjen e ligjshmërisë, për ta garantuar pacenueshmërinë e Kushtetutës dhe vullnetin e votuesit, si dhe rezultatin e vërtet të zgjedhjeve.
Shkeljet janë bërë ashiqare, ato nuk u penguan për shkak të mungesës së vullnetit të kompetentëve dhe mungesës së përkrahjes politike të shumicës së krerëve politik të vendit. Se a do të ndërmerret diçka postfestum nuk dihet, por dihet se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.
Pas zgjedhjeve të vitit 2010 që u karakterizuan me vjedhje industriale të votave, u ndërmorën disa hapa gjysmak të sanksionimit të përgjegjësve, por në esencë asgjë nuk ndryshoi. Kosova u udhëhoq nga ata që dolën nga votat e vjedhura, të cilët në zgjedhjet e fundit i blen votat. U udhëhoq nga ata që me marrëveshjet me Serbinë e dëmtuan rënd funksionalitetin dhe të ardhmen e vendit. Prandaj dënimi eventual i ndonjë komisionari, me siguri nuk do të ndikoj, në mënyrën e udhëheqjes së komunave tona.
Në këtë mandat, komunat me shumicë serbe do të udhëhiqen nga ata që nuk e pranojnë Kosovën si Shtet, dhe nga një pjesë e atyre që i blen votat, ata që i manipuluan qytetarët, ata që dhanë premtime të rrejshme, madje edhe ata që u zotuan se do ta shkelin ligjin, sapo të bëhen kryetar. Këto abuzime do të ndalen ose së paku të reduktohen, kur shkeljet paraprakisht pengohen, atëherë kur secili shkelës, me kohë, e merr dënimin e merituar, por ne jemi ende larg nga ky moment sepse mungon vullneti politik brenda vendit dhe presioni i duhur ndërkombëtar.
Kjo praktik do të ndërpritet, kur ndërkombëtarët nuk do t’i përkrahin udhëheqësit e dëshmuar si keqpërdorues të besimit të qytetarëve dhe të shantazhuar, e mbi të gjitha atëherë kur qytetarët ta kuptojnë rëndësinë e votës së tyre dhe të mos e lejojnë askënd të manipulojë me vullnetin e tyre të shprehur përmes votës vërtet të lirë. Megjithatë ky moment po vjen. Ndryshimet e mirëfillta filluan në Prishtinë, kjo frymë shpejt do të zgjerohet në tërë vendin. /2lonline/