Një protestë paqësore është organizuar të shtunën në qendër të qytetit të Gjilanit në të cilën është kërkuar drejtësi për Engjullin, përkatësisht të zbardhët vrasja e të riut, Engjëll Smërqaku, pasi siç shprehen familjarët po bëhen tani një vit, plotë dhimbje, ankth e paqartësi, dhe se ende nuk është zbardhur rasti nga organet përgjegjëse.
I riu gjilanas, Engjëll Smërqaku është privuar nga jeta më 23 tetor të vitit 2020. Ai ka mbetur i vrarë nga therja me thikë para banesës së tij në Gjilan. Ende nuk ka të dyshuar në lidhje me këtë rast.
Përndryshe, nga protestuesit është kërkuar që sa më parë nga organet e drejtësisë të zbulohet vrasësi, gjë që nuk është bërë deri më tani.
Sipas tyre, mos zbulimi i rastit të vrasësit që një vit, i ka nxitur protestuesit për të shprehur brengën e etyre përmes protestës.
“Protesojmë si familje, si shoqëri dhe kërkojmë që organet kompetente të drejtësisë të merren seriozisht me rastin e Engjullit. Derisa vrasësi të mos del para drejtësisë e të mos merr dënimin e merituar ne nuk do te kemi qetësi. E qëllimi i protestës është se duam drejtësi”, u tha në këtë protest.
Po ashtu, protestuesit kanë apeluar tek të gjitha organet kompetente të drejtësisë që të merren me drejtësinë dhe ta zbardhin rastin e Engjëllit, sepse, sipas tyre, është e pakuptueshme qysh edhe tani, pas një viti, nuk është bërë asgjë në këtë drejtim dhe u tha poashtu që presin që rasti të zbardhet sa më parë, në të kundërtën do të ketë sërish protestë.
Protestuesit u shpërndanë të qetë.
Nga ana e saj, Prokuroria e Gjilanit ka dal me një komunikatë ku është thënë se po vazhdojnë të merren intensivisht me hetimin e rasti të vrasjes së Engjëll Smërqakut
“Prokuroria Themelore në Gjilan, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në mënyrë intensive kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, lidhur me ndriçimin e vrasjes së tani të ndjerit E.S., i cili është privuar nga jeta më 23 tetor 2020, në Gjilan, nga kryes deri më tani të panjohur”, thuhet në një njoftim të kësaj prokurorie.
Më tej thuhet se: “Për hir të korrektësisë dhe njoftimit sa më të saktë të opinionit publik, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Kosovës, që nga vrasja e të ndjerit E.S., e deri më tani janë marrë dhe do të vazhdojnë të merren intensivisht me hetimin e këtij rasti, deri në identifikimin e personave të dyshuar të mundshëm”. /2LONLINE.com/