Dekani i Fakultetit të Studimeve Islame, Prof. Dr. Fahrush Rexhepi, në një intervistë për Radio Dukagjinin, ka mohuar të jetë luftë e shenjtë ajo çka po ndodhë në Siri.
Ai ka thënë se telashe me radikalizëm fetar nuk ka vetëm Kosova, por mbarë bota. Ndërkohë ai ka dhënë shifra të luftëtarëve të huaj atje, duke thënë se nuk është i vogël as numri i shqiptarëve.
Rexhepi ka deklaruar se këto thirrje po bëhen nga grupe të ngushta të interesit, të cilat sipas tij, bëjnë thirrje të tilla, vetëm për përfitime materiale.
“Me këso telashe nuk jemi duke u ballafaquar vetëm ne, por mbarë bota, pasi që sipas të dhënave, numri i të huajve në Siri është deri në 100 mijë. Në mesin e tyre janë edhe shumë shqiptarë”, ka thënë profesori Rexhepi. duke komentuar edhe për rrezikun që mund t’i kanoset Kosovës nga radikalizmi fetar.
Ndryshe, Kosova ka miratuar në lexim të parë projektligjin për pjesëmarrjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës në luftërat e huaja.
Ambasadorja e SHBA-ve në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson dje u ka bërë thirrje ligjvënësve të rinj që ta vë në prioritet miratimin në tërësi të këtij projektligji i cili ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve në luftëra të huaja dhe dënon ata me 15 vjet burg.
Ndërsa, kryeministri në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi, nëpërmjet një postimi në profilin e tij në facebook, ka theksuar se Kosova nuk do të jetë tokë e pëlleshme për radikalët apo ekstremistët që tentojnë t’i ndryshojnë synimet e qarta euroatlantike të shoqërisë, shtetit dhe kombit. /Telegrafi/