Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, kanë kryer një operacion në një dyqan për tregtimin e telefonave në qytetin e Gjakovës.
Ky operacion ka rezultuar në sekuestrimin e një sërë pajisjesh, duke përfshirë telefona, orë dore dhe paisje të tjera përcjellëse, për të cilat palës i mungonte dokumentacioni dhe dyshohet se janë kontrabanduar. Vlera e mallit të sekuestruar shkon përtej shifrës së 10,000.00 Euro, thuhet në njoftimin e doganës.
Ky operacion është realizuar në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta të Njësive Antikontrabandë dhe Prokurorisë Themelore për luftën kundër kontrabandës dhe aktiviteteve të paligjshme në fushën e importit dhe eksportit. Dogana e Kosovës dhe Prokuroria Themelore do të vazhdojnë të angazhohen në zbatimin e ligjit dhe luftën ndaj krimit ekonomik.
Dogana e Kosovës ka aplikacionin eDogana për pajisjet e mençura android dhe IOS, i cili mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve jo profesionale me komunikim të sigurt dhe gjithashtu ofron shërbime tjera me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe komunitetit të prodhuesve dhe tregtisë në përgjithësi, thuhet në njofitmi ne Doganës. /2LONLINE/