“Në Komitetin për Politike dhe Financa, unë si shefe e grupit të këshilltarëve të Nisma-s Socialdemokrate, kërkova që në seancën e radhës të futet në rend të ditës çështja e emërtimit të autostradës “Prishtinë – Dheu i Bardhë” , me emrin e heroit “Agim Ramadani”, ka thënë Mimoza Kadriu.
Ajo bëri të ditur se pas një diskutimi të gjerë dhe sqarimet që i dha sekretaria lidhur me kompetencën e Kuvendit Komunal për të emërtuar rrugët Nacionale, KPF u pajtua që në ditët në vijim të iniciohet një nisme e të gjithë këshilltarëve për t’i kërkuar Kuvendit të Kosovës, apo komisionit parlamentar për emërtime të rrugëve, e shesheve etj., të shtyhet kjo nisme deri ne realizimin e kërkesës, dhe Autostrada Prishtinë-Dheu i Bardhë të emërtohet me emrin e krenarisë së kombit shqiptar, heroit “Agim Ramadani”.
Përndryshe, kohë më parë, një ide e tillë është prezantuar në një seancë të Kuvendit Komunal edhe nga anëtari i Kuvendit, Ibish Ibishi (asokohe i AAK-së), sipas të cilit, me emërtimin e autostradës “Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë”, me emrin e heroit të kombit, Agim Ramadani, nderojmë veprën e heroit, familjen e tij, Anamoravën si dhe të gjitha trojet shqiptare.
Ndryshe, ky propozim, tani si nismë e këshilltarëve komunalë të Gjilanit, ditëve të ardhshme pritet t`i dërgohet nivelit qendror, me kërkesë që të merret parasysh.