Komuna e Gjilanit përkatësisht Drejtoria për Mbrojte dhe Shpëtim (DSHM) ka apeluar te qytetarët që të mos ndezin zjarre fushore dhe zjarre të tjera që shkaktojnë rrezik të përgjithshëm për qytetarët dhe ekonomitë familjare.
Bejtullah Osmani, drejtor i Drejtorisë për Mbrojte dhe Shpëtim kërkon nga qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të kontribuojnë në parandalimin e zjarreve, me që ditëve të fundit e sidomos në ditët në vijim, vendi ynë do të karakterizohet me temperatura të larta klimatike.
“Me që po mbizotërojnë temperaturat e larta, e të cilat ndikojnë në rritjen e rrezikut për shfaqjen e zjarreve në sipërfaqe të hapura, malore dhe fushore dhe me qëllim të evitimit të rrezikut nga zjarri, mbrojtjes të jetës së qytetarëve, të pronës, shtazëve dhe ambientit, apelojmë që të jemi të gjithë të kujdesshëm dhe vigjilent për shmangien e të gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit, vërejtjen dhe lajmërimin me kohë, si dhe të ndihmojmë në shuarjen e zjarrit në fazën e parë të shfaqjes, kudo që ai mund të paraqitet”, ka thënë drejtori Osmani.
Osmani po ashtu tha se Drejtoria që drejton ka njoftuar inspektorët e preventivës nga zjarri si dhe ka bashkëpunim edhe me Policinë e Kosovës dhe zjarrfikëseve për të qenë aktiv , në terren për të preventuar, identifikuar çdo përhapje të zjarrit dhe shkaktarët e përhapjes, në mënyrë që edhe të reagohet shpejt.
Gjithashtu, Osmani ka përkujtuar se Kodi penal i Republikës së Kosovës, neni 356, sanksionon me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vjet të gjithë ata që shkaktojnë rrezik të përgjithshëm përmes ndezjes së zjarreve.
Për çdo eventualitet, qytetarët mund të telefonojnë në numrat pa pagesë, 193 dhe 112, thekson Bejtullah Osmani, drejtor i Drejtorisë për Mbrojte dhe Shpëtim në Komunën e Gjilanit. /2LONLINE/