(2LONLINE) – Qeveria e Sllobodan Millosheviqit,e këtij diktatori serb në Ballkan, kishte sjellë në Kosovë,jo vetëm ushtrinë e tij dhe mjetet teknike ushtarake më moderne, por edhe paramilitarë të cilëve u kishte dhënë kompetenca të pakufishme për veprime terrori të shqiptarëve në Kosovë. Veprimet e tyre të dhunës e plaçkitjes se popullatës shqiptare i “arsyetonte” se ato forca paramilitare janë dalë nga kontrolli i qeverisë. Dhunë, terror e burgosje kryheshin nga të gjitha qytetet e Kosovës.
Sigurimi shtetëror serb u bënte presion politikanëve shqiptarë duke i thirrur në biseda të ashtuquajtura “ informatike”. Diku në një qytet të Kosovës, sigurimi shtetëror kishte rënë në gjurmë të formimit të strukturave ushtarake në Kosovë dhe se brenda një kohe të shkurtër do të përgatitet një kryengritje e armatosur e udhëhequr nga oficerë me përvojë ushtarake, oficerë rezervë dhe punëtorë që kishin punuar më parë në organet e Mbrojtjes Popullore kudo në Kosovë.
Prandaj,aksioni i policisë serbe për arrestimin e oficerëve shqiptarë, që më parë kishin punuar në ish armatën jugosllave dhe që kishin dezertuar, tanimë ishte bërë përditshmëri ,frike e ankthi. Në shënjestër ishin edhe oficerët rezervë të Mbrojtjes Territoriale nëpër komunat e Kosovës, të ditur se janë pjesë e organizimit të strukturave ushtarake nëpër komunat e tyre.
Pikërisht më 15 shtator 1993 Ramë Maraj ,anëtarë i Ministrisë së Mbrojtës së Republikës së Kosovës, koordinator me Shtabet e Mbrojtjes Territoriale të komunave,i cili atë kohë banonte diku në afërsi të ish Shkollës Normale në Gërmi,i shpëtoi arrestimit të forcave policore të cilat i kishin rënë në gjurmë pas arrestimit të shumë anëtarëve të Shtabit të Ministrisë së Mbrojtjes (Hajzer Hajzerit, Haxhi Feratit, Zajm Berishës, Halit Ramës, Xhelil Ramës e shumë të tjerëve).
Rama, pasi e kishte lëshuar Kosovën dhe kishte kaluar në Shqipëri, më telefonon nga Shqipëria dhe më thotë hapur: “ Me urdhër të Shtabit të Ministrisë së Mbrojtjes je i detyrueshëm, që për sigurinë tënde dhe personave tjerë të kyçur në strukturën organizative ushtarake, menjëherë ta lëshosh shtëpinë dhe të kalosh në ilegalitet. Mundësisht të kalosh kufirin dhe të vishë në Shqipëri.
Meqë isha i detyruar të zbatoja rreptësisht urdhrat e hierarkisë ushtarake, mora masat e sigurisë. Lajmërova zëvendësin tim,Sali Hasanin, ndihmës komandantin tim për çështje moralo politike,z. Femi Mamutin, kryetarin e Degës së Lidhjes Demokratike,atë kohë,z. Basri Musmuratin, kryetarin e Forumit të Rinisë,z. Lutfi Hazirin,komandantin e Shtabit të Mbrojtjes Territoriale për Kamenicë,z. Fejzulla Berishen.)
Me pëlqimin e kësaj strukture politike dhe ushtarake dhe analizës së mirëfilltë për masat e sigurisë ,u vendos që unë menjëherë të kaloj në ilegalitet .Mungesa ime në opinion të arsyetohet se për çështje sociale kam mërguar jashtë shtetit. Kështu u vendos dhe u veprua.
Ishte ky takimi im i fundit me strukturat politike dhe ushtarake në komunë dhe pikërisht, më 7 tetor 1993, me ndihmën e kolegut tim, z. Qemail Rexhepit, arrij me sukses të kaloj në Shqipëri dhe vendosem në banesën e vëllait të tij,z. Sokol Rexhepit,i cili studionte mjekësinë në Universitetin e Tiranës. Në Shqipëri takoj z. Ramë Marën dhe shumë komandantë tjerë nga Kosova që i kishin shpëtuar arrestimit të policisë serbe. /2LONLINE/
/ Nazmi MUSA/