Në kuadër të shënimit të 1 Qershorit –Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, sot Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FSK-së, organizuan Ditën e Hapur në kazermat e FSK-së me pritjen e nxënësve të disa shkollave fillore të mesme të ulta të vendit. Pritje u organizua në kazermat e FSK-së në Prishtinë, Prizren, Istog, Gjilan, Mitrovicë dhe Ferizaj.
Në ambientet e kazermës “Adem Jashari” ata i takoi ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i shoqëruar nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.
Me këtë rast, ministri Mehaj, nxënësëve dhe stafit pedagogjik shoqërues të tyre, u dëshiroi mirëseardhje me urimet më të mira për ditën e tyre duke theksuar se misioni i FSK-së është të mbroj vendin dhe të garantoj ambient të sigurtë për ju dhe familjet tuaja.
Gjithashtu, ministri Mehaj ka potencuar edhe rëndësinë e njohurive themelore të nxënësve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë nga kërcënimet dhe rreziqet natyrore, teknologjike dhe ato nga faktori njeri, që në të ardhmen mund të planifikohen në kuadër të sistemit arsimor të vendit në planprogramin mësimor, me futjen e lëndës së sigurisë dhe mbrojtjes në kuadër të shkollave të mesme të ulta dhe të larta.
Nga ushtarakët e autorizuar të FSK-së, nxënësit vizitorë, u njoftuan me hapësirat e jashtme dhe ambientet e brendshme të FSK-së, si kushtet dhe ambientet e punës administrative, kabineteve të mësimit dhe studimit, punës operative, poligonet dhe zonat e stërvitjeve taktike, sallat dhe ambientet për aktivitete sportive, rekreative dhe të pushimit; kapacitetet logjistike të furnizimit, transportit, mirëmbajtjes; si dhe disa kapacitete të pajisjeve dhe makinerisë ushtarake.
Në vazhdim, para tyre, Togu Ceremonial i FSK-së demonstroi pika të zgjedhura të drillit ceremonial ushtarak. Nxënësit, gjithashtu, përmes video-projektorëve, ndoqën dokumentarin që prezanton aktivitetet, stërvitjet dhe operacionet e njësive të FSK-së. Në fund, nxënësit me pyetjet e tyre të shumta shprehën interesimin e tyre të madh rreth FSK-së dhe të ardhmes së saj.