Fjala e Presidentes Osmani në ditën Ndërkombëtare të Gruas, me temën “Zhbëjmë paragjykimet, punojmë për gjithëpërfshirjen”
Do doja shumë të filloj këtë fjalë rasti me një dolli dhe duke u thënë gëzuar 8 marsin.
Por, në fakt, po e filloj me disa urime të përzemërta për vitin që do të vijë dhe me një ftesë kolektive për të vepruar:
Uroj që në 365 ditët në vijim, fjalët grua dhe vajzë të vazhdojnë të jenë sinonim të triumfit, suksesit, ngadhënjimit e inspirimit – ashtu siç ishin shumë vajza dhe gra në vitin që po e lëmë pas.
Uroj që përgjatë vitit në vijim, fuqizimi ekonomik i vajzave dhe grave të shërbejë si bosht rreth të cilit konceptohet e ideohet programi dhe politikat e zhvillimit ekonomik.
Uroj që në ditë dhe muajt në vijim, vajzat dhe gratë tona do të gëzojnë respektin e merituar, trajtimin dinjitoz, e mbështetje të pakursyer.
Uroj që në vitin që pason, vajzat e gratë tona të ndihen të sigurta në shtëpi, në rrugë, në lagje e në çdo hapësirë publike.
Uroj për qasje të barabartë për vajzat e gratë në arsim, në drejtësi, në ekonomi, në politikbërje, në procese kyçe vendimmarrëse, në trashëgimi e në çdo sferë tjetër të jetës.
Uroj përfundimisht për barazi në mes të ‘atij’ dhe ‘asaj’. Sa më shumë që jetësohet ky synim, aq më mirë do të jetë për të gjithë ne si dhe për vendin dhe shoqërinë tonë.
Të dashur pjesëmarrës,
Shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Gruas këtë vit, jo vetëm në Kosovë por anë e mbanë botës, përkon me një kohë kur ne po ballafaqohemi me sfida të mëdha, duke përfshirë rritjen e rasteve të dhunës në familje, rasteve evidente të diskriminimit mbi bazë gjinore, pabarazisë shoqërore, dhunës e etiketimeve në platforma elektronike e rrjete sociale si dhe të papunësisë së lartë në mesin e grave dhe vajzave.
Këto probleme nuk e kanë gjenezën në ditët e muajt që po i lëmë pas. Përkundrazi, janë një reflektim i qartë i pabarazive të trashëguara brez pas brezi.
Por, është e qartë tashmë se barazia gjinore dhe të drejtat e grave janë themelore dhe janë parakusht për adresimin e të gjitha sfidave që i përmenda. Ne mund të arrijmë prosperitet, siguri dhe stabilitet vetëm atëherë kur do të promovojmë, mbrojmë e garantojmë të drejtat e grave dhe të vajzave.
Për dekada gratë kanë thirrur për barazi. Për dekada gratë përsërisin se “Ka ardhur koha” – koha për barazi, për mundësi, për përfaqësim; koha për t’i dhënë fund dhunës, koha për qasje në drejtësi, për mundësi të barabarta në trashëgimi.
Prandaj, duhet të bashkohemi që të gjithë – gra e vajza, burra e djem, të rinj e të moshuar që t’i japim frymë barazisë gjinore në shtëpi, në rrugë, në vende pune, në institucione, në komunitet e kudo tjetër.
E dimë të gjithë se ligjet në parim tingëllojnë mirë e kanë përmbajtje deri diku të kënaqshme. Por nga fjalët tek veprat, hendeku vazhdon të jetë i thellë. Dhe kjo është sfida jonë e përbashkët, qoftë e institucioneve ashtu edhe e shoqërisë në përgjithësi. Ky mbetet përkushtimi ynë prioritar dhe angazhimi ynë i përditshëm. Ky ishte motivi pse një prej 3 komponentëve të rëndësishme në kuadër të zotimeve për Samitin për Demokraci në SHBA ia dedikuam pikërisht barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave dhe vajzave. Jam shumë e lumtur që po punojmë për së afërmi së bashku me shumë prej jush në mënyrë që t’i plotësojmë këto përkushtime.
Na duhet mobilizim e vendosmëri, sepse brumin e kemi të gatshëm tashmë. Rikujtoj se vitin e kaluar, Kosova me më pak se dy milionë banorë ktheu në shtëpi dy medalje të arta nga Lojërat Olimpike, nga dy vajza tona të arta. Emri i Kosovës u ngrit e triumfoi lartë anë e mbanë botës, nga sporti te kinematografia, nga muzika e deri te arti dhe shkenca. Vajzat e gratë dëshmuan se ia dalin shkëlqyeshëm dhe ia zbardhin fytyrën shtetit tonë.
Por, të nderuar pjesëmarrës, po kaq sa janë shtuar sukseset, po kaq vazhdojnë të frymojnë me njëfarë kokëfortësie edhe paragjykimet dhe stereotipet karshi vajzave dhe grave.
Vajzat dhe gratë lehtësisht kategorizohen e etiketohen, përpara se të dëgjohen e të vlerësohen. Vajzat dhe gratë sulmohen, përpara se të respektohen e trajtohen me dinjitet. Vajzat e gratë refuzohen, përpara se t’u hapen dyert, sepse ka gjithnjë një arsyetim, gjithnjë një pengesë, gjithnjë një dyshim. Për mua e koleget e mia këtu që janë në politikë, gjithnjë ajo çka veshim është më me rëndësi se ajo çka ne punojmë.
Përderisa gratë shihen vetëm nën prizmin biologjik e tentohet vazhdimisht t’i zhveshin nga kontributi social, nga personaliteti, nga identiteti profesional – problemet dhe sfidat do të jenë të vazhdueshme e serioze.
Shpeshherë tentoj të mos i shpërfaq në plotëni barrierat e shumta me të cilat jam ballafaquar përgjatë rrugëtimit profesional e politik, këtë besoj e bëjnë shumica prej juve grave. Sepse, në një mënyrë të tillë, sikurse shpresojmë se do të parandalojmë dekurajimin e shumë vajzave për të ecur hapave të njëjtë. Por, fundja, kjo ka pak rëndësi, sepse rrugëtimet e sfidat janë individuale. Ajo që ka rëndësi është se ne jemi këtu për secilën grua dhe vajzë dhe se përkundër çdo pengese eventuale, do ta keni përherë një krah për t’u mbështetur dhe përherë një dorë të zgjatur.
Por, do të hasni edhe në shumë fjalë e paragjykime; do të ballafaqoheni me shumë etiketime nga të cilat shumicën e rasteve do të kursehen kolegët tuaj burra, do të tentojnë t’ua ulin moralin e t’ju bëjnë të ndiheni të pavlerë, por secilën herë ju lus të kujtoni gjyshet tuaja që sfiduan paragjykimet, nënat tuaja që sfiduan patriarkatin, gratë që udhëhoqën rezistencën për liri e demokraci, vajzat që nuk e pranuan refuzimin dhe mospranimin nga shoqëria, vajzat që sfiduan stereotipet, gratë që dëshmuan që asnjë punë nuk është ekskluzivisht vetëm për burra- kujtoni e inspirohuni nga shembulli i pashoq i kampioneve tona të përditshme. Ato janë dëshmia më e pastër se si përmes luftimit të paragjykimeve e stereotipeve, hap pas hapi shkojmë drejt garantimit të gjithpërfshirjes.
Të nderuara gra e vajza, uroj që dita Ndërkombëtare e Gruas të shndërrohet vit pas viti në ditë ku festojmë arritjet e shënojmë progres karshi pengesave e sfidave, të cilat jam e bindur do t’i tejkalojmë së bashku të gjitha ne, po edhe së bashku me burra kampion të cilët e kuptojnë se barazia gjinore është në të mirë të të gjithë shoqërisë dhe shtetit tonë. Uroj që në këtë ditë të gëzojmë gjithnjë të arriturat individuale të cilat përfundimisht do të reflektohen në përmirësimin e mirëqenies sonë kolektive.
Ju faleminderit!